Ministri Limaj përuori një rrugë të re në Llap, Rrugën Dumnicë e Poshtme - Dumnicë e Epërme

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj shoqëruar nga zëvendësminstri i Administratës Publike, Naim Fetahu, deputeti i Kuvendit të Kosovës Rexhep Hoti, dhe përfaqësues të komunës së Podujevës, përuroi sot rrugën e re të asfaltuar Dumnicë e Poshtme-Dumnicë e Epërme.

 

Ministri Limaj, pas përurimit të kësaj rruge, falenderoi përfaqësuesit e mediave të pranishme, për përcjelljen e këtyre përurimeve, siç tha në këto ditë të nxehta vere, në fazën e përurimeve të rrugëve anë e kënd Kosovës.

 

“Ne sot përuruam një rrugë të re të asfaltuar në komunën e Podujevës, një fshat në një zonë të thellë kufitare. Përurimi i rrugëve tregon se Kosova po ndërtohet, dëshmia më e mirë është, projektet të cilat po realizohen dhe përurohen” tha ministri Limaj.

 

Më tutje ministri Limaj shtoi se ndihet mirë me realizimin e një projekti të tillë në këtë zonë sepse, kjo anë ka qenë “shtegu” i parë i të gjitha të këqijave që kanë ardhë në vendin tonë :” Ndihem mirë që shteti i Kosovës, po ndërtohet dhe sot po i shpërblehen qytetarët e vendit tonë duke ua përmirësuar jetë. Andaj apeloj që të vazhdojnë të qëndrojnë në trojet e tyre”.

 

Kreu I MTPT-së gjithashtu vlerësoi se nganjëherë ne nuk e kemi njohur Kosovën tonë, kështu që duke u futur në zonat e thella dhe duke investuar në këto zona po shpalosen bukuritë e vendit tonë, si dhe mundësitë dhe potencialet që ka vendi ynë për t’u zhvilluar.

 

Sipas ministrit Limaj, me ndërtimin e kësaj rruge, do të bëhet e mundur zhvillimi i blegtorisë pasi që është një zonë e jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomive familjare, prandaj edhe ky investim ka qenë I domosdoshëm dhe I drejtë.

 

Limaj në këtë përurim edhe njëherë bëri të ditur se autostrada ka filluar në Vërmicë, ndërsa do të përfundojë në Merdar, ndërsa tjerat janë vetëm spekulime.

Foto Galeria

Video Galeria