Ministri Limaj gjatë vizitës së tij në SHBA, sot pati takim në Departamentin e Shtetit me zëvendës ndihmësin e sekretarit të shtetit amerikan

Temë e diskutimit në këtë takimin Limaj dhe Jones ishte gjendja aktuale politike në Kosovë si dhe proceset e tjera që lidhen me punën që është duke e bërë MTPT e Kosovës.

 

Gjatë këtij takimi Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë, z.Stuart Jones e vlerësoi lartë procesin e zgjedhjeve në Kosovë, me theks të veçantë përfundimin e fazës më sfiduese të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin, të hartuar nga presidenti Ahtisari, gjegjësisht atë të krijimit të komunave të reja dhe të procesit të decentralizimit, përmes organizimit të zgjedhjeve komunale më datën 15 nëntor 2009.  Sipas z, Jones këto zgjedhje kanë qenë thelbësore, pasi kanë qenë të parat që janë organizuar pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve e ka legjitimuar krijimin i komunave të reja dhe Kosova ka korrur sukses duke treguar aftësi për organizimin e zgjedhjeve në mënyrë vetanake.

 

Dalja e përgjithshme e serbëve në zgjedhje ka shumëfish më e madhe në zgjedhjet e organizuara në Kosovën e pavarur sesa në ato të nëntorit 2007 dhe kjo është një një shtytje e re në ndërtimin e një shteti shumetnik që e dëshmon njëkohësisht edhe stabilitetin e vendit, ka thënë Jones.

 

Ministri Limaj e njoftoi z. Jones më hollësisht edhe me planet dhe veprimet aktuale të Ministrisë së Transportit të Kosovës për këtë vit, fushat kyçe të përqendrimit, për prioritetet e kësaj ministrie, me theks të veçantë në infrastrukturën rrugore respektivisht rreth ndërtimit të Autostradës Morinë Merdare dhe poashtu edhe për Koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

 

Jones e ripërsëriti qëndrimin se Qeveria Amerikane, do të mbështet të gjitha projektet të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos mbështetjen për projektet të cilat kanë impakt rajonal, siç është ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare dhe Koncensionimi i Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës e të cilat projekte ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 

 

Foto Galeria

Video Galeria