Ministri Liburn Aliu në vizitë në Malin e Zi
Në kuadër të mbledhjes së Komunitetit të Transportit, sot zhvillova takim në Portin e Tivarit, me ç’rast dorëzova presidencën tek zëvendës kryeministri i Malit të Zi, njëherazi ministri për Investime Kapitale të këtij shteti, z. Ervin Ibrahimović.
E urova për detyrën e re që ka marrë, duke i dëshiruar sukses në punët që po e presin. Me të biseduam për angazhimet dhe prioritetet e qeverisjes tonë në çështje që lidhen me transportin, për modernizimin dhe funksionalizimin e hekurudhave që na lidhin me porte të rëndësishme detare, kryeqytete, dhe korridore të rëndësishme evropiane, si dhe për projekte të tjera që e lidhin turizmin me ekonominë.
Me Z. Ibrahimovic, po ashtu diskutuam për ide të shtimit të rrugëve komunikuese mes dy vendeve tona, me theks të veçantë për tunelin Rozhajë - Pejë si dhe rrugën Deçan - Plavë, për të cilat projekte, ndamë bindjen dhe interesin e përbashkët që t'i shtyejmë përpara e t’i konkretizojmë në bashkëpunime dypalëshe.