Ministri Lekaj vizitoi komunën e Junikut si dhe inauguroi rrugë të reja në Junik e Deçan
Prishtinë, 18 tetor 2017
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj vizitoi sot komunën e Junikut ku u prit nga kryetari i kësaj komune Agron Kuçi.
Në këtë takim u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së infrastrukturës dhe komunës së Junikut për ndërtimin e rrugëve të reja në këtë komunë.
Pas këtij takimi ministri Lekaj dhe kryetari Kuçi, inauguruan fillimin e punimeve për rrugën Junik-Gjeravicë, segmenti Junik-Lugu i gjatë, në gjatësi rreth 7 kilometra e 856 metra..
Në prononcimin e tij për media ministri Lekaj tha:“ Sot jemi bashkë me kryetarin e Junikut dhe qytetarët e kësaj zone, për fillimin e kësaj rruge që ka impakt pozitiv sidomos në zhvillimin e turizmit, ne nuk do te ndalemi së investuari në infrastrukturën rrugore, e cila do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, të turizmit, të bujqësisë dhe ndërrmarrësisë. Siç e dimë, për shkak të infrastrukturës së dobët nuk kemi pasur zhvillim të tillë, prandaj e them se Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn do të mbeshtesë fuqishëm këto segmente që janë jetike për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik. Unë sot jam në Junik dhe falënderoj kryetarin që ka insistuar në inicimin e këtij projekti, por kërkoj nga kompania të kryejë punët në afat të caktuar prej 90 ditësh. Nga kjo që shoh dhe nga serioziteti i kësaj kompanie besoj që punimet do të kryhen para afatit dhe do te kryhen me standarde. Po ashtu, falënderim i veçantë u shkon banorëve të kësaj ane, të cilët kanë lëshuar tokat e tyre pa kompensim për ndërtimin e kësaj rruge”.
Ndërsa kryetari Kuçi e falenderoj ministrin Lekaj, për këtë projekt madhor për komunën e Junikut. Njëherit ky projekt është projekti më gjigant i kësaj komune, u shpreh kryetari Kuçi.
Pas, kësaj Ministri Lekaj i shoqëruar edhe nga Hilmi Haradinaj, (babai i kryeministrit aktual të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj) inauguroi fillimin e punimeve të disa rrugëve të fshatit Gllogjan, në gjatësi prej 6 kilometrash.
“ Sot e kam kënaqësinë e veçantë që jam në vendin historik, në vendin e krenarisë dhe rezistencës, dhe ku jeton familja Haradinaj. Ajo që më gëzon shumë sot është se po i nisim këto rrugë, të cilat e kanë edhe një domethënje sepse këto rrugë e mbajnë emrin e dëshmorëve, që ne përulemi para veprës së tyre që ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot. Ne nuk do të hezitojmë asnjëherë që të jemi mbështetës të vlerave por edhe infrastrukturës rrugore. Unë mendoj se këto rrugë duhet të ndërtohen sipas standardeve më të larta sepse e mbajnë emrin e dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, Shpendit dhe Agronit që prehen qetë në këtë vend. Lavdi dëshmorëve dhe për ne është nder dhe krenari që sot na është dhënë rasti që në emër të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,z. Haradinaj së bashku me bacin Hilmi i cili është simbol i gjithë asaj që ne e kemi fituar, të nisim këto rrugë moderne”.
Ndërsa, kryetari i Deçanit, Sami Cacaj, tha se realizimi i ndërtimit të këtyre rrugëve është mjaft i qëlluar sepse do të lehtësojë jetën e banorëve të këtij fshati.