Ministri Lekaj u takua me një delegacion shqiptaro – gjerman i kryesuar nga Ulrich Beul
Prishtinë,
05 janar 20018
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, u takua me një delegacion shqiptaro – gjerman i kryesuar nga Ulrich Beul nga CDU-ja njëherit edhe anëtar i Këshillit të Distriktit të Punëtorëve Kristianë-Demokratë (CDA). Në këtë takim është diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit, ku ministri Lekaj ka shfaqur interesimin dhe gatishmërinë e Ministrisë së Infrastrukturës që të krijohet hapsirë veprimi dhe bashkëpunimi për kompanitë serioze gjermane, njëjtë si edhe për ato vendore.
Ministri Lekaj e informoi delegacionin se Kosova tash për tash i ka me rëndësi jetike tri çështje të cilat duhet të marrin epilog, si ajo e Demarkacionit me Malin e Zi, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe iniciativën ligjore të ndërmarrë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Kosova tash për tash i ka tri çështje me rëndësi jetike për t’u dhënë një epilog si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, që është çështje ende e pa mbyllur dhe që ka ndikim negativ në liberalizimin e vizave, por që besoj që në fund të muajit janar apo në fillim të shkurtit do ta merr një epilog. Tjetra është themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe që në këtë drejtim na duhet përkrahja e Gjermanisë, por edhe të Bashkimit Evropian. Kurse sa i përket iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe për të cilën iniciativë është alarmuar edhe kori diplomatik në vend, ne kemi mësuar nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, që çdo proces që ka mbështetje ligjore dhe është proceduar në mënyrë demokratike nga deputetët të cilët janë autonom në vendimet e tyre, nuk duhet parë si diçka alarmante. Ne në ketë drejtim nuk do t’i zhgënjejmë miqtë tanë”, ka thënë ministri Lekaj.
Ministri Lekaj e njoftoi delegacionin edhe për projektet që janë duke u realizuar nga Ministria e Infrasturës si dhe për projektet që parashihen të realizohen në planin tre vjeçar të punës. Lekaj po ashtu e njoftoi delegacionin edhe për gjendjen e furnizimit dhe prodhimit të energjisë elektrike në vend, pas hapave të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, që është element pozitiv për të gjithë investitorët e mundëshëm si dhe i njoftoi edhe për potencialin e madh të fuqisë punëtore në vend.
Në anën tjetër Ulrich Beul nga CDU-ja gjermane dhe anëtarët tjerë të këtij delegacioni kanë falenderuar ministrin Lekaj dhe kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë në projekte të ndryshme, që ndikojnë në mirëqenjen e qytetarëve dhe përspektivën evropiane të Kosovës.