Ministri Lekaj nënshkruajti kontratën për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë
Prishtinë,
16.02.2018
Ministri Pal Lekaj në prezencë të deputetëve që vijnë nga Deçani, si dhe kryetarit të Deçanit, ka nënshkruar kontratën për fillimin e punimeve të rrugës Deçan-Plavë. Me rastin e nënshkrimit të kontratës, duke i uruar deputetët, kryetarin si dhe të gjithë banorët e Deçanit, ministri Lekaj është shprehur: “Në vigjilje të 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së re për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në vazhdën e sukseseve të Qeverisë Haradinaj, në prezencen e deputetëve të parlamentit të Kosovës, që vijnë nga Komuna e Deçani dhe të kryetarit të Komunës, e nënshkrova kontratën për fillimin e punimeve në rrugën Deçan – Plavë, e cila do të financohet me rreth 12 milion euro.
Në koordinim të plotë me operatorin e kontraktuar, ndërtimi i kësaj rruge do të filloi në muajin mars të këtij viti, varësisht nga kushtet atmosferike. Kjo rrugë do të përafroi edhe me tepër shqiptarët që jetojnë në të dyja anët e kufirit, do të lidhë dy shtetet tona, Kosovën dhe Malin e Zi, por mbi të gjitha do të ndikojë në zhvillimin e turizmit si një arterie ndër më kryesoret për Deçanin.
Duke i uruar qytetarët e Deçanit për ketë zhvillim pozitiv, dëshiroj të them se, Qeveria Haradinaj është e interesuar që të investoi në infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin, gjithnjë duke u bazuar në nevojen e qytetarëve, por edhe në strategjinë tonë për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Urime!”, ka thënë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.