Ministri i MTPT, Fatmir Limaj, mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë
Sot ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë, me ç’rast prezantoi punën e realizuar gjatë vitit 2009, si dhe rezultatet e korrura gjatë këtij viti në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Fillimisht, ministri Limaj i falenderoi të gjitha mediat vendore për përcjelljen e aktiviteteve të MTPT-së, për prezantimin dhe informimin e qytetarëve të vendit lidhur me punën që e ka bërë MTPT dhe për të gjitha informacionit që mediat ua kanë ofruar qytetarëve të Republikës sonë.
Sipas ministrit Limaj, gjatë këtij viti Ministria e Transportit ka arritur që të ketë rritje të investimeve kapitale. Gjithashtu, në këtë vit kjo ministri ka filluar dhe ka realizuar mbi 200 projekte, që konsistojnë në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe në ndërtimin e rrugëve nacionale dhe lokale.
Ministri Limaj paraqiti pasqyrën përmbledhëse të buxhetit, me të cilën ka administruar Ministria e Transportit, duke precizuar se për sivjet kanë qenë të planifikuara mjete në shumë prej 141 279 621 eurosh, ndërsa janë shpezuar 136 101 365 euro, ose 96,33 për qind. Nga kjo shumë për projekte kapitale është planifikuar të investohen 127 215 589 euro ndërsa për këtë qëllim janë shpenzuar 122 741 248 euro, apo 96,48 për qind e mjeteve të planifikuara.
Duke folur për investimet kapitale, ministri Limaj theksoi se këtë vit është shënuar rritje e investimeve kapitale për 11,13% krahasuar me vitin 2008, me rreth 400 km rrugë nacionale dhe rajonale, të cilat janë asfaltuar vetëm gjatë këtij viti.
“Nëse flasim për këto dy vitet e fundit, realizimi i investimeve kapitale ka qenë 511 për qind, më shumë se sa për tri vjet (2005,2006 dhe 2007), theksoi kreu i MTPT-së.
Duke folur për projektet e realizuara, ministri Limaj tha se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar mbi 350 projekte, 307% më shumë se sa për tri vitet paraprake (2005, 2006 2007), kur janë realizuar 114 projekte.
Gjatë prezantimit ministri Limaj tha se në mesin e angazhimeve të kësaj ministrie ishte edhe zhvillimi i procedurave për realizimin e dy projekteve të mëdha nacionale: autostradës Prishtinë-Vërmicë, për të cilën janë kaluar procedurat e domosdoshme, për t’u arritur te momenti final, i cili nënkupton se në 15-ditëshin e parë të viti 2010 do të përzgjedhet kompania fituese, e cila do të fillojë ndërtimin dhe realizimin e ëndrrës së të gjithë qytetarëve të vendit tonë, si dhe përgatitjet për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Lidhur me këtë, ministri Limaj tha: “Ne i kemi ofertat, kemi vlerësimin teknik dhe financiar, ndërsa tani fillon një proceduarë tjetër, ajo e kontratës me fituesin e kësaj oferte, që d.m.th. se MTPT-ja përfundimisht është në përmbyllje të këtij projekti madhor për vendin tonë.
Të shënuara si rezultate të veçanta janë edhe dy projekte, apo siç i quajmë ne - M9 dhe M2, përkatësisht rrugët magjistrale Prishtinë-Shkabaj dhe Prishtinë-Sllatinë, të cilat pothuajse kanë përfunduar, sepse ka mbetur vetëm edhe shtresa e fundit e asfaltit, për të cilën ekspertët kanë këshilluar që të mos bëhet tani për shkak të kushteve atmosferike, kështu që kjo do të realizohet në pranverë. Në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë ka filluar së realizuari segmenti Sllatinë-Gjurgjicë, që do të përfundohet në fund të vitit të ardhshëm”.
Kur është fjala për arritje në lëmin e transportit, sipas ministrit Limaj gjatë këtij viti është bërë anëtarësimi i Kosovës në IRU (Unioni Rrugor Ndërkombëtar), është nënshkruar Traktati i Transportit me UE-në, është realizuar negocimi i marrëveshjeve bilaterale me Maqedoninë, Turqinë dhe Bullgarinë, këmbimi i lejeve për transport me Çekinë, zhvillimi i transportit rrugor të udhëtarëve me të gjitha vendet ku jetojnë bashkëqytetarët tanë, nënshkrimi i protokollit me Shqipërinë dhe liberalizimi, trajnimi i 264 menaxherëve në fushën e transportit në qendrën për trajnime profesionale të akredituar në IRU, si dhe përgatitja e implementimit të tahografëve digjitalë (standard i BE).
Sa u përket hekurudhave, ministri Limaj tha se është bërë funksionalizimi i linjës 10 hekurudhore, finalizimi i funksionimit të sistemit të kontrollimit qendror të lëvizjes së trenave, është krijuar baza ligjore për ndarjen e hekurudhave të Kosovës në Infrastrukturë dhe Operime, është bërë konstituimi i Bordit të Drejtorëve të Hekurudhave të Kosovës, si dhe konstituimi i Bordit të Drejtorëve të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.
Ministri Limaj tha se gjatë këtij viti është punuar mjaft edhe në aviacionin civil: është bërë kompletimi i legjislacionit sekondar për aviacionin civil, konstituimi i Bordit të Drejtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, emetimi i licencave për operime ajrore, nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale me Zvicrën dhe Turqinë, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me Shqipërin, është punuar rreth koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, është bërë realizimi i investimeve kapitale në ANP, rritja e performancës ekonomike të ANP-së, zgjerimi dhe përmirësimi i shërbimeve në ANP dhe ngritja e numrit të pasagjerëve. Ajo që vlen të theksohet është nënshkrimi i Memorandumit për kontrollin e hapësirës mbiajrore të vendit tonë, meqë tani e tutje këtë hapsirë do ta mbikëqyrë shteti shqiptar si anëtar i NATO-s. Tash janë mbi 400 fluturime mbiajrore që kalojnë mbi territorin e vendit tonë dhe aty, përveç mbikqyrjes së këtij territori nga ata që ne duam, është edhe interesi ekonomik, i taksave të cilat deri sot Kosova nuk i ka gëzuar, por ato kanë shkuar diku tjetër.
Për sektorin e automjeteve ministri Limaj tha se është bërë anëtarësimi në CITA (Komiteti Ndërkombëtar për Kontrollimin Teknik të Automjeteve), fillimi i homologimit të automjeteve, monitorimi on-line për kontrollimin e punës në qendrat e kontrollit teknik, prezantimi i Kosovës në Manualin për Shofer të CIECA-s (Komiteti Ndërkombëtar për Patentshofer) etj.
Ministri Limaj gjithashtu prezantoi edhe të arriturat e këtij viti në lëmin e Telekomunikacionit, duke filluar nga krijimi i bazës ligjore dhe administrative për Kodin Shtetëror të Internetit (ccTLD-country code Top Level Domain), Ligji për Shërbime Postare dhe Ligji për Parandalimin e Krimit Kibernetik, konstituimi i Bordit të ART-së, projekti i Web GIS-it Kombëtar, miratimi i tarifave për shërbimet postare ndërkombëtare, licencimi i dy operatorëve të rinj postarë, emisionet e pullave të reja postare, organizimi i Konferencës Ndërkombëtare për Infrastrukturën Brezgjerë të Telekomunikimeve, participimi në projektin e Komisionit Evropian për mbikëqyrjen e sektorit të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve të shoqërisë informative, si dhe pjesëmarrja aktive në iniciativat e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
Limaj tha se me punën, të cilën e ka bërë kjo ministri gjatë këtij viti, është njohur edhe Komisioni Evropian, në raportin e të cilit MTPT-ja është vlerësuar me nota pozitive për zhvillimin e bërë gjatë vitit 2008 dhe 2009. Gjithashtu, një vlerësim pozitiv për këtë ministri e ka dhënë edhe auditori gjeneral. Këto paraqesin tregues, të cilët flasin se në MTPT gjërat kanë ndryshuar në kuptimin pozitiv, andaj pozitivisht janë vlerësuar edhe angazhimt tona.
“Nga informacionet që i kemi marrë, në kuadër të projekteve, të cilat i ka realizuar MTPT, vendit tonë i janë shtuar rreth 5000 vende pune”, tha ministri Limaj, i cili shtoi se vetëm në projektin e autostradës gjatë vitit të ardhshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë pritet që të inkuadrohen 4500-5000 punëtorë, ndërsa nëse merren parasysh të gjitha projektet që kjo ministri do t’i realizojë në gjithë vendin, parashihet që të hapen 7000 vende të reja të punës.
Si objektiva të vitit të ardhshëm, sipas ministrit Limaj, janë ekzekutimi i punimeve të Autostradës, dhënia e Aeroportit të Prishtinës me koncesion dhe realizimi i projekteve, të cilat janë paraparë për vitin 2010.