Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, vizitoi komunën e Vitisë, Gjilanit dhe atë të Kamenicës, u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, vizitoi sot komunën e Vitisë, Gjilanit dhe atë të Kamenicës. Këto vizita u bënë në kuadër të bashkëpunimeve ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, ku edhe u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në mbështetje të projekteve infrastrukturore për qytetet e lartëpërmendura.

 

Ministri Lekaj së pari vizitoi komunën e Vitisë, ku u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Sokol Haliti, me të cilin diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Vitisë, duke nënshkruar kështu memorandum bashkëpunimi. Ministri Lekaj u zotua para udhëheqësve dhe qytetarëve të Vitisë, se kjo komunë do të marrë mbështetjen e merituar sa i përket projekteve infrastrukturore dhe se Ministria e Infrastrukturës do të jetë çdoherë në mbështetje të kësaj komune, njejtë sikurse për të gjitha komunat e tjera në Kosovë.

 

Pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim, në prononcimin e mbajtur për media, ministri Lekaj u shpreh:

“Ndihem i nderuar që sot bashkë me kryetarin, nënshkruam memorandum bashkëpunimi për infrastrukturë rrugore, e cila ka impakt pozitiv për qytetarët, por edhe për zhvillimin ekonomik. Ne si Ministri e Infrastrukturës dhe si Qeveri e Kosovës, do të jemi mbështetës të fuqishëm të të gjitha komunave të Kosovës, e në veqanti të kësaj ane, sepse ne mendojmë që kjo anë meriton të zhvillohet më shumë në infrastrukturë rrugore, por edhe në segmente tjera të cilat janë vitale për qytetarët. Ne e kemi thënë edhe më herët, se pas marrjes së përgjegjësisë si Ministri e Infrastrukturës, jemi zotuar se do të jemi mbështetës të fuqishëm të komunave dhe kryetarëve të zgjedhur nga qytetarët pa dallime. Sot jemi këtu që t’i themi Vitisë se po vijnë ditë të mira për këtë anë, jo pse nuk është investuar, por tani është koha dhe është domosdoshmëri që të përfundohet e tërë infrastruktura.”

 

Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, duke e cilësuar këtë takim si të frytshëm, e falënderoi Ministrin Lekaj për mbështetjen e dhënë dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

“Vërtetë një takim shumë i frytshëm, nënshkruam edhe memorandum bashkëpunimi për shumë projekte që do të zhvillohen në komunën e Vitisë, në sferën infrastrukturale. Projekte të cilat janë në vijueshmëri, të cilat natyrisht, mininstri me mirëkuptimin e kabinetit të tij si dhe vet personalisht, do të na ndihmojë që t’i përfundojmë dhe t’i mbulojmë deficitet që i kemi pasur në këto projekte dhe t’i përfundojmë me rrugullaritet të plotë, në të mirën e qytetarëve të Vitisë. Jemi prej komunave në rajon që kemi nevojë ende për investime në infrastukturë dhe ministri ka treguar vullnet, bashkë me kabinetin, që të financojë edhe projekte të tjera”, tha kryetari Haliti.

 

Radhën e vizitave për marrëveshje bashkëpunimi, ministri Lekaj e vazhdoi në komunën e Gjilanit. Aty u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Lutfi Haziri. Duke u njoftuar nga afër me planet infrastrukturore që ka Gjilani, ministri Lekaj dhe kryetari Haziri, nënshkruan memorandum bashkëpunimi.


Ministri Lekaj, duke qenë i gatshëm të ofroj mbështetje për nevojat që ka Gjilani në infrastrukturë, tha se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e vazhdueshme e Gjilanit dhe të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Lekaj gjithashtu theksoi para mediave, rëndësinë e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, për të cilën është nënshkruar edhe kontrata.


“ Dita e sotme është një lajm i mirë për qytetarët e Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi, pasi ne po e fillojmë një rrugë që ka qenë domosdoshmëri e kahershme e kësaj ane, pra autostrada, për të cilën është nënshkruar edhe kontrata. Kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, koridoreve dhe lidhjeve të koridoreve. Këto rrugë do të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Gjilanit si dhe në lidhjen e zonave rurale me ato urbane, siç është Përlepnica me kosto 520 mijë euro, Gërnicë 450 mijë euro, rrugicat në rrugën e Prishtinës 200 mijë euro si dhe rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë euro, pra, vlera totale në këto projekte lokale është 1 milion e 280 mijë euro. Poashtu, vazhdimi i projekteve që kanë qenë në procedurë dhe janë duke u zhvilluar, si: Vërbicë e Zhegovcit 1 milion e 300 mijë euro, për të cilën vetë kryetari e ka potencuar pasi që është rëndësi jetike, zgjerimi i qytetit në hyrje me kosto 1 milion e 600 mijë euro dhe projekti i unazës së jashtme që mendojmë se do të zhvillohet”, deklaroi ministri Lekaj.

 

Ndërsa kryetari Haziri, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve dhe  mediave, tha se ky memorandum bashkëpunimi është kulmi i programit për investime publike në Gjilan dhe Anamoravë. Kryetari Haziri u shpreh:

“Nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit, sot e kulmon me programin e investimeve publike në Gjilan dhe në Anamoravë, duke e nënvizuar projektin kryesor madhor, për të cilin ministri e ka nënshkruar kontratën para disa ditëve. Pritet këto javë kur ministri të caktoj edhe fillimin e punimeve të autostradës së Gjilanit, e cila e lidhë Gjilanin dhe Anamoravën me koridorin e kombit. Investimet e përbashkëta në qytet, programi i investimeve të rrugëve në qytet dhe zgjerimin e rrugëve, programi i përbashkët i investimeve në fshatrat e komunës së Gjilanit dhe programi i BERZH-it, të udhëhequr nga ministri dhe Ministria e Infrastrukturës”.



Ministri Pal Lekaj, sot gjithashtu vizitoi edhe komunën e Kamenicës. I pritur nga udhëheqësi i kësaj komune, Qëndron Kastrati, ministri Lekaj i ofroi kësaj komune përkrahjen e nevojshme infrastrukturore. Në këtë vizitë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi, pra, mbështetje që Ministria e Infrastrukturës i ofron kësaj komune. Ministri Lekaj në fjalimin e tij thënë mediave, theksoi se Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë  rrugore dhe jo vetëm sa për të hedhur asfalt.


“Ne sot me z. Kastrati, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për mbështetje financiare në infrastrukturë rrugore. Ne u zotuam para kryetarit dhe para bashkëpunëtorëve, se ne do të jemi mbështetës në infrastrukturën rrugore si Qeveri e Kosovës, e në këtë rast si Ministri e Infrastrukturës dhe na bënë të ndihemi mirë që sado pak, mund të përmirësojmë kushtet në infrastrukturë, e të cilat kanë ndikim pozitiv për qytetarët e Kamenicës. Vlenë të theksohet që Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë  rrugore dhe jo vetëm sa për të hudhur asfalt. Ne biseduam edhe me kryetarin e Kamenicës, që në të ardhmen të kenë infrastrukturë rrugore edhe aty ku do të mund të zhvillohet turizmi”, deklaroi ministri Lekaj.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e falënderoi ministrin Lekaj për vizitën e bërë si dhe për mbështetjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës, duke uruar që të ketë një mbështetje edhe më të madhe.

Foto Galeria

Video Galeria