Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, vizitoi fshatin Tërrn
Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, me ftesë të deputetit të Kuvendit të Kosovës nbga Ferizaj, Labinot Tahiri, vizitoi fshatin Tërrn të kësaj komune, ku u takua me banorët e fshatit dhe u njoh për së afërmi me gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe të transportit.
Gjatë vizitës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi:
“Ne sot po e vizitojmë këtë rrugë që ka impakt pozitiv për qytetarët, për këta nxënës, për lëvizje të lirë dhe unë iu premtova qytetarëve të Tërrnit, por edhe deputetit Labinot Tahiri, se kjo rrugë do të kryhet në kohën më të shkurtë të mundshme. E kam thënë dhe e them përsëri, nuk do të ketë stërzgjatëje të projektit, nuk do të dominojë interesi individual ose klanor sikurse deri tani, por ne do të jemi të saktë në zhvillimin e projekteve, në përfundimin e tyre dhe asnjëherë nuk do të shikojmë nëse kjo rrugë i takon një subjekti tjetër, apo një klani tjetër, apo një individi, apo një kompanie që ka interesa vetjake, por çdo herë do të mbizotërojë interesi i përgjithshëm dhe për ne çdo herë në fokus do të jetë qytetari i Kosovës. Me ndjenja të tilla sot jemi në këtë rrugë, që t’i bindim qytetarët, banorët e kësaj ane që ne do të jemi përkrah tyre, përkrah kërkesave të tyre të domosdoshme që t’i implementojmë projektet me përpikëri”, tha ministri Lekaj.
Ndërkaq, iniciatori i kësaj vizite, Labinot Tahiri, deputet në Parlamentin e Kosovës nga Ferizaj, shprehu falënderimin e tij për ministrin Lekaj, i cili pa hezitim e përkrahu dhe e realizoi vizitën e sotme:
“E falënderoj ministrin Pal Lekaj, i cili e mori shumë seriozisht kërkesën time që ta vizitoj këtë fshat, i cili, siç e tha një mësues, është fshat pa strukturë. Konsideroj se me ardhjen e ministrit Lekaj gjërat do të marrin kahje serioze dhe se kjo rrugë, e cila prej shumë kohësh është në gjendje të atillë, që u shkakton shumë vështirësi banorëve të fshatit, do të rregullohet. Rruga e tashme është asfaltuar para 35 vjetësh dhe ajo duhet të ndërtohet për hire të banorëve dhe fëmijëve të këtij fshatin, nëpër të cilin nuk qarkullon as autobusi dhe s’ka kurrfarë transporti. Besoj se ministri Lekaj shumë shpejt do të bëjë një zgjidhje të qëndrueshme për këtë rrugë.”
Vizitën në Tërrn ministri Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij e kaluan në bisedë me banorët e këtij fshatin.