Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizitoi komunën e Deçanit
Prishtinë, 17 prill 2015
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, vizitoi komunën e Deçanit, ku u prit nga kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj. Gjatë takimit ministri Zharku dhe mikpritësi i tij biseduan për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në këtë komunë, për projektet që janë realizuar deri tash dhe për ato që planifikohet të realizohen gjatë periudhës së ardhshme.
Pas takimit, ministri Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, përuruan dy rrugë: Llukë e Epërme – Llukë e Ulët – Isniq, me gjatësi prej 4 kilometrash e 786 metrash dhe rrugën Pozhar – Dashinoc – Lumbardh – Ratish, me gjatësi prej 7 kilometrash e 686 metrash, ndërtimi i të cilave është financuar nga Ministria e Infrastruktures, në bashkëpunim më Komunën e Deçanit, ndërsa realizimi i tyre ka kushtuar rreth 1 milion e 156 mijë euro.
Pas Deçanit, ministri Lutfi Zharku vizitoi punimet në unazën në dalje të Gjakovës, ku për së afërmi u njoh me dinamikën e punimeve në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetin.