Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, përuroi rrugën Prigodë-Lubozhdë të komunës së Istogut dhe rrugën Tërstenik-Pejë
Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, vizitoi komunën e Istogut dhe disa projekte të infrastrukturës rrugore në këtë komune. Ai, së bashku me kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, përuruan rrugën Prigodë-Lubozhdë, me gjatësi prej 7 kilometrash, për ndërtimin e së cilës janë investuar 1 milion euro.
Në fjalën e mbajtur me rastin e përurimit, kryetari i Komunës, Haki Shatri, falënderoi ministrin Zharku dhe Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetjen financiare të këtij projekti dhe tha se për qëllime të përbashkëta angazhimet nuk do të mungojnë asnjëherë. Ndërkaq, ministri Lutfi Zharku tha se do të bëhen përpjekje që në kuadër të prioriteteve të sivjetshme të përfundojë rruga Istog-Skenderaj, ndërsa deri në shtator do të dihet se cilat projekte të këtij rajoni do të përfshihen në planin e prioriteteve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Në vazhdim të aktiviteteve të sotme, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku vizitoi edhe Komunën e Pejës, ku u takua me kryetarin Gazmend Muhaxhiri, me të cilin përuruan rrugën Tërstenik-Pejë, që ka një gjatësi prej 16 kilometrash dhe si dhe vizituam punimet e rrugës lokale Dardania 3, të gjatë 2.2 kilometra dhe rrugën Novosellë-Lipë, që është në fazën e dytë të ndërtimit dhe që ka gjatësi prej 5.2 kilometrash.