MINISTRI I INFRASTRUKTURËS, LUTFI ZHARKU DHE KRYETARI I KOMUNËS SË ISTOGUT, HAKI RUGOVA, PËRURUAN URËN MBI LUMIN ISTOG NË ZALLQ
Të marten ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizitoi Komunën e Istogut, ku u takua me kryetarin e Komunës, Haki Rugova, me të cilin biseduan lidhur me infrastrukturën rrugore, për projektet që janë në realizim e sipër, si dhe për nevojat e kësaj komune për mbështetjen e realizimit të projekteve të reja.
Pas takimit, ministri Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, pripëruruan urën e re mbi lumin Istog në fshatin Zallq, e cila pëmirëson lidhjen e fshatrave të kësaj zone me qendrën komunale të Istogut. Ndërtimin e kësaj ure e ka financuar Ministria e Infrastrukturës, e cila për realizimin e këtij projekti ka ndarë 452,526.66 . Ura ka një gjatësi prej 79 metra dhe gjerësi prej 10 metrash.
Në fjalën përuruese ministri Zharku i përgëzoi banorët e kësaj ane për urën e re dhe tha se komuna e Istogut edhe në vitin e ardhshëm do të ketë mbështetjen si të ministrisë që drejton, ashtu edhe të Qeverisë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Haki Rugova deklaroi se është shumë i interesuar për përfundimin e shpejtë të projekteve të infrastrukturës rrugore, sepse ato rrisin mirëqenien sociale dhe ndikojnë në një zhvillim më të hovshëm ekonomik.
Pas përurimit të urës në Zallq, ministri Zharku dhe kryetari i Komunës, Rugova vizituan punimet në asfaltimin e rrugës Osojan-Rakosh.