Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, vizitoi punimet në magjistralen Shtime - Ferizaj
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, vizitoi punimet në rehabilitimin e rrugës magjistrale M25.3, segmenti Shtime – Ferizaj. Në fjalën e rastit ministri Mujota tha:
- Sot vizituam fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Shtime – Ferizaj me gjatësi prej 10.3 kilometrash. Për realizimin e këtij projekti janë siguruar 1.544.988,73 euro. Projekti do të realizohet sipas standardeve të larta dhe me të përfundimisht bëjmë një zgjidhje të madhe jo vetëm për banorët e Shtimes dhe Ferizajt, por edhe për të gjithë Kosovën.
Vizitën e tij në këto anë ministri Fehmi Mujota e vazhdoi në segmentin e tretë të transitit të Shtimes, projekt ky që tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të realizimit, por njëkohësisht vizitoi edhe asfaltimin e rrugëve “Dëshmorët e Reçakut” dhe “Skënder Salihaj” në Ferizaj, projekte këto me vlerë prej 476.306,42 euro.
Kur flitet për infrastrukturës rrugore të kësaj ane të vendit duhet thënë se në fazën e tenderimit janë edhe disa projekte: Rikonstruktimi i rrugës rajonale Han – Muzeqinë - Koshare, me gjatësi prej 8.6 kilometrash, rruga e transitit Shtime – Delinë, me gjatësi prej 2.0 kilometrash, si dhe zgjerimi i rrugëve “Brahim Ademi” dhe “Driton Islami” në Ferizaj.