Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, vizitoi punimet e asfaltimit të rrugës në Remnik të Vitisë
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, vizitoi punimet e asfaltimit të rrugës në fshatin Remnik të komunës së Vitisë. Me këtë rast ministri Mujota bisedoi me banorët e fshatit, të cilët përcollën vizitën e tij dhe e falënderuan për angazhimet e tij dhe të ministrisë që drejton ai për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, si parakusht të rëndësishëm të zhvillimit të gjithëmbarshëm të kësaj ane.
Në fjalën e rastit ministri Mujota tha se kjo rrugë, që lidh disa fshatra, është e një rëndësie shumë të veçantë për këto zona.
“Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të bëjmë këtë projekt në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin, me fshatarët e Remnikut dhe të Ministrisë së Infrastrukturës. Natyrisht që e kemi pasur edhe përkrahjen e Komunës dhe kur të gjitha forcat janë bashkuar, kemi arritur një sukses shumë të mirë”, - tha ai.
Vlera e projektit të asfaltimit të rrugës së Remnikut, që ka një gjatësi prej mbi 7.7 kilometrash, është rreth 467.500 euro, nga të cilat 100.000 euro i ka siguruar komuniteti me vetëfinancim, kurse pjesa tjetër ëshë investim i Ministrisë së Infrastrukturës.
Në fund duhet përmendur se punëkryes është kompania “Eskavatori”.