Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, udhëtoi për Belgjikë në takimin e SEETO-s
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, udhëtoi për në Belgjikë, ku do të marrë pjesë në takimin vjetor të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), anëtarë të të cilit janë të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Takimi do të mbahet më 28 dhe 29 nëntor dhe në të do të marrin pjesë ministrat e transportit të të gjitha vendeve anëtare.
Në kuadër të temave që do të prezantohen në takimin e sivjetshëm të ministrave të vendeve të SEETO-s, ministri Fehmi Mujota do të ketë një prezantim me temën “Rrjeti Gjithëpërfshirës i Observatorit të Transportit në Evropën Juglindore – Të arriturat, planet e së ardhmes dhe vizioni për arritjen e pajtueshmërisë së plotë me Rrjetin Gjithëpërfshirës Transevropian të Transportit (TEN-T)”.
Takimi i sivjetshëm i ministrave të vendeve të SEETO-s është i shtati me radhë nga viti 2004, që kur është themeluar Observatori i Transportit të Evropës Juglindore.