Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti në vizitë pune ambasadorin e Maqedonisë në Republikën e Kosovës, Stojan Karajanov

Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti në vizitë pune ambasadorin e Maqedonisë në vendin tonë, Stojan Karajanov, me të cilin bisedoi për çështje me interes për të dy vendet.

 

Gjatë bisedës, ministri Mujota e informoi mysafirin e tij, ambasadorin Karajanov, me angazhimet e deritashme të Ministrisë në planin e infrastrukturës rrugore e në veçanti me rrjedhën dhe dinamikën e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar.

 

Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së autostradës Prishtinë-Shkup, projekt ky, realizimi i të cilit do të ndikojë jo vetëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të lidhjeve midis dy vendeve, por njëkohësisht do t’i kontribuojë edhe integrimit më të plotë të Republikës së Kosovës dhe të Maqedonisë në rrjetin rrugor rajonal, por edhe në atë evropian. Bashkëbiseduesit u pajtuan që të dy shtet të angazhohen maksimalisht për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

 

Temë tjetër, e cila u diskutua me këtë rast, ishte edhe marrëveshja për transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, e cila është në fazën e harmonizimit në nivel të komisioneve teknike dhe që do të nënshkruhet në të ardhmen.

 

Foto Galeria

Video Galeria