Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson

Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Trejsi En Xhejkobson (Tracey Ann Jacobson), me të cilën zhvilloi një bisedë të përzemërt lidhur me aktivitetet e gjithëmbarshme të Ministrisë së Infrastrukturës.

 

Pasi e falënderoi për bashkëpunimin e deritashëm midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe ambasadës së SHBA në Kosovë, ministri Mujota e njoftoi ambasadoren Xhejkobson me zhvillimin e punëve dhe projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës, me theks në ndërtimin e projektit madhor infrastrukturor, autostradës Morinë-Merdar, si dhe për përgatitjet që po bëhen për fillimin e realizimit të projektit të dytë të rëndësishëm, autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin.

 

Ministri Mujota e informoi ambasadoren Trejsi Xhejkobson edhe për investimet në infrastrukturën rrugore në Republikën e Kosovës, për investimet nëpër komuna dhe për planet dhe projektet e vitit të ardhshëm.

 

Në fund të takimit të dy bashkëbiseduesit u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit midis ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, i cili gjithnjë ka qenë në nivel të lartë.

Foto Galeria

Video Galeria