Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, përuroi rrugën Kuçishtë – Bogë
Pejë, 06 nëntor 2014
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës së Pejës, Shkumbin Gashi, përuroi rrugën Kuçishtë – Haxhaj – Bogë, investim i Ministrisë së Infrastrukturës, e cila për realizimin e këtij projekti ndau mjete në shumë prej 2 milionë e 800 mijë euro. Rruga Kuçishtë – Bogë është e gjatë 8.5 kilometra dhe e gjerë 5.5 metra dhe paraqet një nga projektet tejet të nevojshme dhe të rëndësishme, ngase me realizimin e tij është plotësuar një nevojë jetike për banorët e fshatrave të Rugovës.
Në fjalën e tij përuruese, ministri i Infrastrutkurës, Fehmi Mujota tha se tash, me ndërtimin e kësaj rruge, janë krijuar kushtet optimale për turizëm në këtë pjesë të vendit.
- Vetëm brenda një viti, sa po punohet në këtë rrugë, mund të vërehet se numri i vizitorëve është shtuar për tri here. Këtu jam për të treguar edhe një herë se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë investimet, krijimin e kushteve sa më të mira dhe më të favorshme për turizmin malor dhe përgjithësisht për zhvillimin ekonomik. Mbi të gjitha, Ministria e Infrastrutkurës ka plane të tjera për Komunën e Pejës dhe Grykën e Rugovës: ne do të vazhdojmë edhe me një investim tjetër prej rreth 700 mijë eurosh në tri fshatra të grykës së Rugovës, - ka thënë ai.
Mujota tha se këto vise malore tashmë mund të shfrytëzohen shumë më lirshëm dhe në mënyrë shumë më komode.
I pranishëm në ceremoninë përuruese ishte edhe nënkryetari i Komunës së Pejës, Shkumbin Gashi, i cili vlerësoi se me ndërtimin e kësaj rruge është shtuar interesimi për turizëm dhe tha se ka edhe projekte të tjera investuese, të parapara për këtë pjesë të vendit.