Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, përuroi rrugën Kosavë-Pllajnik të komunës së Dragashit
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani dhe kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, përuroi rrugën Kosavë-Pllajnik, e cila lidh këto dy fshatra.
Përurimi u bë në fshatin Pllajnik, në praninë e banorëve të shumtë të këtij fshati dhe të fshatrave të afërme, të cilët me këngë e valle krijuan një atmosferë vërtetë solemne.
Në fjalën e tij përuruese, ministri Mujota tha se sot ekziston arsyeja e gëzimit të të gjithëve, sepse fshati ka fituar një projekt të rëndësishëm, që flet për rritën dhe ngritjen cilësore të jetës në të dhe në fshatrat përreth. Lidhjet e Kosavës dhe Pllajnikut me qendrën komunale në Dragash do të jenë shumë më të lehta, sikundër edhe lidhjet me Prizrenin.
- Investimet e Qeverisë nuk do të përfundojnë këtu; së bashku me kryetarin e Komunës dhe strukturat drejtuese të fshatit do të vazhdohet me investime të mëtutjeshme drejt Dragashit, - tha në fjalën e tij ministri Mujota dhe shtoi:
- Qeveria e Kosovës po investon aty ku ka nevojë qytetari i vendit, pa dallime etnike, politike e të tjera, për të bërë jetën e qytetarëve më të lehtë dhe më cilësore, për të zhvilluar vendin dhe për të ndalur migrimin, të cilit me ndërtimin e kësaj rruge i kemi dhënë fund.
Kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi, falenderoi ministrin Mujota dhe ministrinë të cilën e drejton ai për kontributin e dhënë për ndërtimin e kësaj rruge. Sipas Jenuzit, ky projekt është një ndër projektet më të mëdha të realizuara në komunën e Dragashit. Ai gjithashtu shtoi se për realizimin e një projekti të këtillë madhor, komuna ka participuar me një shumë simbolike prej 60 mijë eurosh.
Rruga Kosavë-Pllajnik ka një gjatësi prej 3.8 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash, kurse ndërtimin i saj ka kushtuar 430 mijë euro. Pjesën më të madhe të investimeve për realizimin e këtij projekti e ka bërë Ministria e Infrastrukturës.