Ministri Fatmir Limaj qëndroi në Vërmicë, pikën fillestare të autostradës Vërmicë-Merdar

Sot ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ramadan Muja, vizitoi Vërmicën, pikën fillestare të autostradës së ardhshme Vërmicë-Merdar.

 

“Ne me kryetarin e komunës dhe me përfaqësuesit e fshatit Vërmicë, së bashku me ekspertët dhe përgjegjësit që merren me shpronësimin e tokave, kemi dalë në këtë pjesë kufitare, ku do të fillojë autostrada, në të cilën punimet do të fillojnë shpejt. Erdhëm për të parë aktivitetin se deri ku kanë shkuar procedurat e shpronësimit. Unë nuk kam asnjë dilemë se qytetarët e Kosovës, e sidomos ata të fshatrave dhe vendbanimeve nga do të kalojë autostrada, nuk do të paraqesin asnjë problem, sepse ky është një projekt që ka qenë ëndërr e kahmotshme e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Të gjithë banorët e vendbanimeve nga do të kalojë kjo autostradë e dijnë se ky projekt është për të mirën e tyre dhe për të mirën e lokaliteteve të tyre”, - tha ministri Limaj në bisedë me qytetarët e Vërmicës.

 

“Kjo autostradë përfundimisht e lidhë vendin tonë me portet detare, me shtetin shqiptar dhe me bregdetin shqiptar. kjo autostradë e kthen vendin tonë në një nyje të rëndësishme rajonale dhe e cila, mbi të gjitha, do t’i ndihmojë integrimet ekonomike”, deklaroi në vazhdim ministri Limaj .

 

Duke folur për proceset e deritashme përgaditore lidhur me autostradën, ministri i MTPT, Fatmir Limaj, tha: “Unë jam i kënaqur me atë se si ka shkuar procesi deri tani. Ne si ministri e transportit i japim mbështetje për aq sa i takon kësaj ministrie, ndërsa procedurat tjera i udhëheqin komuna dhe Ministria e Financave, ndërsa ne si ministri jemi këtu për çdo problem inxhinierik që mund të paraqitet dhe ne për këtë do të gjejmë zgjidhje që dëmet të jenë minimale, të kursejmë atë që mund të kursehet, por njëkohësisht të mundohemi që të mos kemi asnjë pengesë, e unë jam i bindur që nuk do të ketë”.

 

Duke folur për shpronësimin, çështja e të cilit është në fokus të interesimit të banorëve të vendbanimeve nëpër të cilat do të kalojë traseja e autostradës, ministri Limaj tha se kishte biseduar edhe me kryetarët e fshatrave të kësaj ane dhe se ata kanë pohuar se banorët e kësaj ane janë të vetëdijshëmpër vlerën e këtij projekti. Në fund Ministri i siguroi qytetarët e Vërmicës se çdo milimetër e pronave, nëpër të cilat do të kalojë autostrada, do t’u kompensohet pronarëve me çmimin e tregut.

Foto Galeria

Video Galeria