Ministri Fatmir Limaj përuroi rrugën rajonale Mushtisht-Sopi

Sot në qendër të fshatit Mushtisht të komunës së Suharekës, në atmosferë solemne. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit komunal të Suharekës, Blerim Kuçi dhe ish-komandati i UÇK-së I kësaj ane, Sadik Halitjaha, përuroi rrugën e asfaltuar Mushtisht-Sopi, të gjatë rreth 8 kilometra, për ndërtimin e së cilës Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ka investuar 1 milion e 600 mijë euro.

 

Fillimisht, qytetarëve të tubuar iu drejtua kryetari i KK të Suharekës, Blerim Kuçi, i cili midis tjerash tha se rruga që u përurua sot  është një nga rrugët më të rëndësishme të komunës dhe për realizimin e saj falënderoi ministrin Limaj dhe ministrinë, të cilën e drejton ai, e cila iu qas realizimit të këtij projekti me shumë përkushtim. Njëkohësisht, ai tha se me ministrin Limaj kanë biseduar edhe për projektet e tjera, që do të realizohen gjatë periudhës së ardhshme në këtë komunë.

 

Në fjalën përuruese, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, pasi i përgëzoi qytetarët dhe strukturat komunale për rrugën e re, tha se ajo përfundimisht do ta nxjerrë këtë rajon nga një situate jo e mire, e cila ka ekzistuar deru tash, sepse Mushtishti, që nuk është vetëm një fshat i rëndomtë, por është symbol i Suharekës, e ka merituar një rrugë të këtillë dhe meriton të këtë një trajtim të veçantë për faktin se Mushtishti nesër do të jetë promotor i zhvillimit  të komunës së Suharekës dhe i këtij rajoni.

 

“Vendi ku jemi tash është një stacion i përkohshëm. Këtë rrugë unë do ta quajt të kryer vetëm atëherë kur të shpërthejë në drejtim të Shterpcës. Atëherë mund të them se e kemi përfunduar rrugën”, tha ministri Limaj.

 

“Ne biseduam me kryetarin e komunës për t’i realizuar objektivat dhe projektet në të ardhmen. Vizioni ynë është që këto bukuri natyrore, të cilat na i ka dhënë zoti, t’i kthejmë në shërbim të qytetarëve tanë jo vetëm të këtij rajoni, por të mbarë Kosovës, sepse ky rajon dhe këto bjeshkë bjeshkë prapa nesh kanë një potencial të jashtëzakonshëm ekonomiko-turistik, të cilin ne do ta shfrytëzojmë maksimalisht, do ta shfrytëzojë shteti i ri. Potenciali që ofron ky rajon tash nuk është vetëm potencial turistik. E dijmë që në të kaluarën në këtë rajon pothuaj se bosht kryesor i mbijetesës ka qenë blegtoria. Ne tani këtë blegtori do ta kthejmë në promotor të zhvillimit ekonomik edhe të komunës së Suharekës, por edhe më gjerë, kështu që jam shumë i bindur që perspektiva e zhvillimit të këtij rajoni është e sigurt, , sikur që është e sigurt perspektiva e zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit tone”, theksoi në vazhdim ministri Fatmir Limaj.

 

Duke paraqitur pasqyrën e zhvillimit të infrastructures rrugore në Kosovë, ministri i MTPT, Fatmir Limaj, tha:

 

“Mund të them që rrjeti rrugor i Kosovës deri në vitin 2007 ka qenë diku rreth 40% e asfaltuar. Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Shqiperia kanë qenë para nesh. Komunat e Kosovës i kemi gjetur me diku me 2% , diku me 20%, diku me 40%, e diku i kemi gjetur me 50% të rrugëve të fshatrave të asfaltuara. Sot, në 2010-ën  mund të themi që nuk kemi asnjë komunë në territorin e Republikës së Kosovës, e cila nuk ka në minimum 75% të fshatrave të asfaltuara, ndërsa mesatarja e Republikës së Kosovës sillet prej 75-85% të fshatrave të asfaltuara, që nënkupton se diku jemi me 15 deri 20% para Maqedonisë, para Serbisë, para Malit të Zi, e diku rreth 35 deri 40% jemi para Shqipërisë dhe kjo tregon se zhvillimi harmonik i Kosovës po ec përpara”.

 

Në fund Limaj falënderoi punëkryesin për realizimin me sukses të projektit të kësaj rruge dhe njëherësh i njoftoi qyetarët e pranishëm se shtresa e dytë e kësaj rruge është punuar me gurë vullkanikë, që jep një cilësi të veçantë.

 

Në fund të ceremonisë përuruese, që u përcoll me një program vallesh popullore, ish-komandanti i UÇK-së nga kjo anë, Sadik Halitjaha, falënderoi udhëheqjen komunale e në veçanti ministrin Limaj për mbështetjen që i japin progresit të kësaj ane.

 

Foto Galeria

Video Galeria