Ministri Abrashi vizitoi punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, të premten (12.06.2020), ka vizituar punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Pajaziti”.
Me rastin e vizitës, ministri Abrashi tha se ky projekt do të trajtohet me prioritet, ndërsa nga punëkryesit kërkoi dinamikë të shtuar të punimeve.
Nga qytetarët, ministri Abrashi, kërkoi mirëkuptim në procesin e shpronësimit, në mënyrë që puna në segmentin e ri të filloj nga e hëna. Ai tha se do të angazhohet personalisht që të eliminohen pengesat e mundshme në procesin në fjalë.
Segmenti Gojbulë-Smrekonicë ka gjatësi 4.55 km. Kosto e ndërtimit të saj është mbi 13 milionë e 300 mijë euro, përderisa segmenti tjetër Lum i Madh – Gojbulë, rreth 26 milionë euro. Financues të këtij projekti janë Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Fondi i OPEC për Zhvillim.