Ministri Abrashi vizitoi punimet në linjën 10: Në kohë rekorde do t’i modernizojmë hekurudhat

Prishtinë, 11 gusht 2020


Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i ka vizituar sot punimet që janë duke u kryer në Hekurudhat e Kosovës, gjegjësisht në linjën 10 në stacionin në Miradi.


Ministri tha se rehabilitimi i linjës 10 të hekurudhës pritet të përfundojë në kohë rekorde, duke iu mundësuar trenave lëvizje më të shpejt.


Abrashi e ka quajtur projekt me rëndësi të veçantë rehabilitimin e kësaj linje, që i mundëson Kosovës lidhje më të mirë me vendet e regjionit.  


“Rehabilitimi i hekurudhës nga Hani i Elezit e deri në Fushë Kosovë, është një projekt me rëndësi të veçantë për vendin, i cili i paraprinë edhe zhvillimit ekonomik, por edhe ndërlidhjes më të mirë të Kosovës me regjionin. Rehabilitimi i hekurudhës është nënshkruar qe disa muaj si kontratë, por javëve të fundit, me një përkushtim më të madh të Ministrisë së Infrastrukturës, Infrakos-it dhe Njësisë, po shohim një dinamikë shumë më të madhe të punëve. Dhe, shpresojmë që edhe përkundër pandemisë, kjo pjesë e hekurudhës të rehabilitohet në kohë rekorde. Mbi të gjitha, ky është një avancim i hekurudhave të Kosovës, që nënkupton që trenat tani do të lëvizin më shpejt, dhe do të kemi aktivitet më të shtuar ekonomik dhe më shumë investime”, tha ministri Abrashi.


Sipas Abrashit, rehabilitimi i hekurudhave do të vazhdojë edhe në linjat tjera, duke i modernizuar e që nënkupton edhe zhvillim ekonomik të vendit.


“Gjithsesi që kjo do të marrë kohë, por ne jemi këtu që të përkrahim këto ndërmarrje, në mënyrë që të modernizojmë linjat hekurudhore, së pari këtë pjesë, e pastaj të vazhdojmë edhe me fazat e tjera, e para deri në Mitrovicë dhe e dyta deri në kufi me Serbinë. Mbi të gjitha, kjo nënkupton një avancim më të madh të hekurudhave të Kosovës, me aktivitete të shtuara ekonomike. Ne do të punojmë edhe në projekte tjera, siç është rehabilitimi i hekurudhës Prishtinë-Merdare dhe lidhjes me Nish-in, një qendër multimodale me stacion të trenit dhe autobusëve, duke e bërë kështu Prishtinën një qendër ndërlidhëse të regjionit”, tha Abrashi.    

Foto Galeria

Video Galeria