Ministri Abrashi vazhdon fushatën e mbjelljes së drunjëve, kërkon nga kompanitë t’i bashkohen kësaj nisme
Prishtinë, 24 dhjetor 2020
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me drejtorin e OJQ “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kanë vazhduar mbjelljen e drunjëve në Veternik në kuadër të fushatës “T’i japim vendit ngjyra”.
Ministri Abrashi tha se kjo nismë është mesazh edhe për të tjerët që duhet të kujdesemi për ambientin sa më shumë.
“Ky aktivitet ka një domethënie të veçantë sepse është një mesazh për të gjithë që duhet të kujdesemi për ambientin. Falënderojmë kolegjin ‘Heimerer’, që bashkë me studentët e tyre kanë marr këtë nismë dhe ne i kemi përkrah. Shpresoj se edhe kompanitë tjera do ta marrin shembull këtë iniciativë dhe të mbjellin drunjë që do të ndikojnë në përmirësimin e ambientit”, tha Abrashi.
Abrashi theksoi se kjo iniciativë do të vazhdojë edhe në pjesët tjera të Kosovës, duke ndikuar në uljen e ndotjes, e që Kosova, por veçanërisht Prishtina po përballet me ambient jo të mirë.
Ministri Abrashi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe KOK-un që brenda dhjetë viteve në Kosovë të mbillen 1 milionë e 800 mijë drunjë, e ku një pjesë e tyre do të mbillen edhe nëpër auto-udhët e Kosovës, rrugët nacionale dhe rajonale, që janë nën përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës.