Ministri Abrashi intervenon në rrugën ku ishin lënduar 4 nxënës nga aksidentet

Prishtinë, 25 shtator 2020


Pas kërkesës së shkollës së mesme Ekonomike në Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur pahitë ndarëse në rrugën nacionale M9, Prishtinë-Fushë Kosovë, duke eliminuar aksidentet e shpeshta që kanë ndodhur në këtë rrugë.


Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka parë nga afër vendosjen e pahive dhe është takuar me drejtorin e shkollës , Jahë Sahiti dhe stafin e tij.


Ministri tha se intervenimi në këtë pjesë është bërë për t’i eliminuar aksidentet që kanë ndodhur për shkak të kalimit të rrugës në vend jo të duhur, sidomos nga nxënësit e shkollave.

“Janë lënduar disa nxënës në këtë vend nga kalimi i rrugës në vend jo të duhur dhe pas kërkesës së shkollës kemi intervenuar menjëherë. Jemi duke intervenuar nëpër vendet ku rrezikohet jeta e njerëzve, sepse primare e kemi shpëtimin e jetëve”, tha ministri.


Ndërsa drejtori i shkollës, Jahë Sahiti, tha se 4 nxënës të shkollës së tij janë goditur nga veturat në këtë vend, duke e konsideruar si investim shumë të nevojshëm vendosjen e pahive.


“E falënderoj ministrin për intervenimin shumë të shpejt pas kërkesës tonë, sepse këtu shpëtohen jetët e njerëzve. I kemi pasur katër nxënës të lënduar nga veturat dhe disa qytetarë. Vendosja e këtyre pahive e eliminon këtë problem”, tha drejtori.


Në këtë vend janë tetë shkolla dhe qarkullojnë rreth shtatë mijë nxënës, ndërsa me vendosjen e këtyre pahive, eliminohet mundësia e kalimit të rrugës në vend jo të duhur, që ka quar deri te aksidentet. 

Foto Galeria

Video Galeria