MINISTRAT LEKAJ E RESHITAJ PËRURUAN SEGMENTIN E DYTË TË RRUGËS PRISHTINË-PEJË
Prishtinë, 28 tetor 2017
Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe me bashkëpunëtorë, në Kijevë bënë përurimin e segmentit prej 3.5 kilometrash të rrugës Prishtinë-Pejë.
Në fjalën e rastit, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, fillimisht i shprehu ngushëllime të thella familjes Tafallari për familjarin e tyre, punëtor i kompanisë “Bechtel&Enka”, i cili humbi jetën në punishten e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në afërsi të Kaçanikut.
“Ne në këto momente të vështira për familjen Tafallari duhet të jemi afër tyre dhe i shpreh ngushllime familjes Tafallari për humbjen e djalit të tyre”, - tha ministri Lekaj.
Në fjalën përurese të segmentit të dytë të rrugës Prishtinë-Pejë, ministri Lekaj tha:
“Ne sot jemi, këtu në segmentin e dytë, ta quaj të autostradës Prishtinë–Pejë, që është kryer deri në Kijevë dhe me këtë rast falënderoj ministren Albena Reshitaj, që sot është këtu me ne, e cila ka marrë vendimin më të shpejtë të mundur për shpronësim, çështje kjo që ka pritur gjashtëmbëdhjetë muaj vetëm për një vendim, që nuk është marrë nga ish-Qeveria e Kosovës. Unë publikisht iu them të gjithë qytetarëve se atë që e premtojmë edhe e realizojmë. Me këtë rast falënderoj edhe firmën “Graniti” për punën të cilën e ka bërë dhe tani ne e kemi një standard të ri në punishtet e rrugëve dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që projekti të stërgjatet për fajin e ministrisë, apo për mungesë të mbështetjes financiare. Pra, ne do të jemi të saktë edhe në mbështetje financiare, por edhe në realizimin e kontratave. Qytetarët e kësaj ane e gëzofshin këtë rrugë, e cila mundëson një qarkullim dhe një qasje më të lirë në këtë anë”.
Ndërkaq, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, pasi i përshëndeti pjesëmnarrësit në këtë përurim, tha:
“Jam e lumtur që sot jam pikërisht në këtë vend, ku para shumë pak kohësh ne bëmë edhe shpronësimin e pronave për ndërtimin e kësaj pjese të rrugës. Të gjithë e dimë rëndësinë që ka ndërtimi i rrugëve në vendin tonë, andaj nuk duhet ta lejojmë prolongimin e panevojshëm të procedurave të ndryshme burokratike, siç ka qenë edhe shpronësimi i tokës për këtë rrugë, sepse ne duhet të ecim me hapa të shpejtë. Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm ndërtimin e rrugëve në gjithë Republikën e Kosovës, sepse bashkojmë fshatra, rajone, komuna, që është në interest të qytetarëve, prandaj, jemi zotuar edhe si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës t’i përshpejtojmë procedurat, brenda kornizave ligjore, që të most kemi prolongime të procedurave”, tha ministrja Reshitaj.
Në manifestim morën pjesë edhe zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të tjerë të komunave të afërme.