MI nënshkruan Memorandum për financimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Prizrenit

Prishtinë, 20 shkurt 2017


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore në komunën e Prizrenit. 


MI-ja do të financojë realizimin e asfaltimit të rrugëve: Lubizhdë -  Skorobishtë në vlerë prej 50,000 €, Mazrek – Gjonaj – Bishtazhin në vlerë prej 50,000 €, Prizren – Velezhë në vlerë prej 50,000 €, Rogovë – Has në vlerë prej 50,000 €. Po ashtu, MI do të financojë realizimin e projektit të shtruarjes së rrugëve me kubëza në fshatin Lubizhdë në vlerë prej 15,000 €, si dhe Teleferiku - Prizren në vlerë 1,000,000 €.


Ky Memorandum obligon MI-në që të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa Komuna e Prizrenit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve, të kryejë procedurat e tenderimit të tyre, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së. 

Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë. 

Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për të mundësuar zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Ministrinë e Financave, si dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi. 

 

Foto Galeria

Video Galeria