MI financon projektin për asfaltimin e rrugës Boletin – Rahovë e Madhe

Prishtinë, 29 mars 2017


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe nënkryetari i Komunës së Zveçanit, Florim Kelmendi nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit me qëllim të financimit të projektit infrastrukturor për asfaltimin e rrugës Boletin – Rahovë e Madhe, në vlerë prej 750 000 eurosh, ndërsa Komuna e Zveçanit do të ndajë 100 000 euro mjete shtesë për këtë projekt.


Me anë të këtij Memorandumi, Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Zveçanit obligohen të sigurojnë mjetet financiare për realizimin e këtij projekti. 


Komuna e Zveçanit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projektit për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtij projekti, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së. 


Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë. 


Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapsinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi. 

 

Foto Galeria

Video Galeria