MI edhe 1 milionë euro për Obiliqin, u vu gurthemeli i sheshit “Adem Preniqi”

Prishtinë, 20 tetor 2018


Bashkë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, vunë gurthemelin për ndërtimin e sheshit kryesor të Obiliqit.


Ky projekt i Obiliqit do të realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe do të ketë mbi 10600 metra katrorë, kurse kostoja e ndërtimit të tij do të jetë mbi 1 milionë e 200 mijë euro, prej të cilave  mbi 1 milion do të jenë investim i MI-së.


Ministri Pal Lekaj, duke i uruar qytetarët e Obiliqit ka deklaruar se ky nuk është projekti i fundit që po investohet në Obiliq, qytet ky i cili ka bërë të munduar që ne të gëzojmë përfitimet që i sjellë energjia elektrike që ky qytet prodhon.


Ndërkaq kryeministri Haradinaj tha se ndërtimi i këtij sheshi për qytetarët e Obiliqit, është investim që këtij qyteti ti kthehet dinjiteti i munguar që edhe ky qytet të bëhet atraktiv dhe i dëshiruar nga qytetarët dhe vizitorët.


Kurse kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi  i falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Lekaj, për përkrahje të Obiliqit. Gashi tha se me kërkesë të qytetarëve të Obiliqit, ky shesh pas aprovimit nga Asambleja Komunale e Obiliqit, do të mbajë emrin e veprimtarit të madh Adem Preniqi.

Foto Galeria

Video Galeria