Limaj vizitoi punimet në rrugën që e lidhë Gjilanin me Lipjanin

Ministri i Transportit dhe i Postë - Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i ka inspektuar punimet që po bëhen në ndërtimin e rrugës, e cila e lidhë komunën e Gjilanit me komunën e Lipjanit

 

Gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrugës, ministrin Fatmir Limaj e kanë shoqëruar edhe zv/ministri Emin Krasniqi, kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe ai i Lipjanit, Shukri Buja.

Ministri Limaj u nda i kënaqur me dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge. Ai shprehu bindjen se punimet do të përfundojnë nga muaji shtator.

 

“Kjo rrugë do të sjell një zhvillim më të hovshëm ekonomik për të dyja komunat dhe banorët që jetojnë nëpër lokalitetet nga shtrihet rruga. Me këtë rrugë rajoni i Gjilanit po krijon tri korridore dhe po lidhet edhe me autostradën e Durrësit dhe asaj të Shkupit, e cila lidhje do t’u sjell banorëve lokal mundësi më të mëdha për zhvillim të biznesit, bujqësisë turizmit dhe veprimtari të tjera”, tha ndër të tjera ministri Limaj, në mesin e banorëve të shumtë të cilët ishin të entuziazmuar për këtë investim jashtëzakonisht të rëndësishëm për rajonin e tyre.

 

Gjithashtu ministri Limaj tha se “Për asfaltimin e kësaj rruge po përdoret guri vullkanik, rruga do të jetë mbi 17 kilometra e gjatë dhe investimet për ndërtimin e saj do të jenë në rreth 5 milionë euro”.

 

Edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa e ka vlerësuar si shumë me rëndësi ndërtimin e rrugës për një zhvillim më të shpjet ekonomik dhe ka shprehur falënderimet për ministrin Limaj që i ka dhënë prioritet këtij projekti.

Të njëjtin mendim lidhur me ndërtimin dhe rëndësinë e kësaj rruge e ka shprehur edhe kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili tha se nga investimet e deritashme në infrastrukturë lidhja e Lipjanit me Gjilanin do të sjell më shumë përfitime për qytetarët.

Punimet për ndërtimin e rrugës që i lidhë të komunat, Gjilanin me atë të Lipjanit, kanë nisur nga shtatori i vitit të kaluar dhe janë duke u zhvilluar nëpër fshatrat Ponesh - Gadish - Kishnapole - Vrellë – Gadime.

 

Deri më tani 7.5 kilometra janë asfaltuar dhe janë përgatitur për asfaltim edhe 4 kilometra tjera.

 

 

Foto Galeria

Video Galeria