Limaj priti përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve
Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj gjatë një takimi të mbajtur me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve nga të gjitha rajonet e Kosovës, ka kërkuar nga ta që të shtojnë kujdesin për sigurinë në komunikacion.
Limaj ka theksuar se transporti rrugor po e merr peshën e veçantë, sidomos pas hapjes së korridorit Kosovë-Shqipëri, respektivisht pas përfundimit të punimeve nga pjesa e Shqipërisë, intensiteti i transportit rrugor është shtuar në mënyrë të pakrahasueshme dhe interesimi i njerëzve në linja rrugore është rritur.
Po ashtu ai ka dëgjuar edhe për problemet, me të cilat ballafaqohen udhëheqësit e këtyre kompanive.
“Duke i ditur problemet me të cilat janë ballafaqohen transportuesit rrugor, sidomos ata jashtë Kosovës, është bërë nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me vendet e ndryshme. Me qëllim të krijimit të lehtësirave gjatë qarkullimit, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë, Turqinë, Belgjikën dhe së shpejti pritet edhe me Italinë dhe Bullgarinë. Njëkohësisht, ekspertë të ministrisë së transportit janë duke biseduar me zyrtarë të Malin e Zi, Slloveninë e Kroacinë dhe shpejtë presim të konkretizohen edhe këto marrëveshje”, u shpreh ministri Limaj.
Gjithashtu, ministri Limaj ka kërkuar nga të gjithë përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve një kujdes të shtuar në komunikacion.
“Nëse krahasohet siguria në komunikacion me vendet rajonale, del se Kosova është mjaft mirë, por kjo nuk mjafton dhe duhet kujdesi të jetë edhe më i madh. Në akset rrugore ku po kryhen punime, transportuesit hasin në vështirësi, por ato investime janë të domosdoshme, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të qarkullimit”, ka thënë ministri Limaj.
Nga ana tjetër, përfaqësues Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve, lavdëruan ministrin Limaj për punën që ka bërë për kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe sidomos për punët që po bëhen për rregullimin e rrugëve si dhe u shprehën ta gatshëm për bashkëpunimin e mëtutjeshëm.