Limaj përuroi rrugën e Kaçanikut të vjetër
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj përuroi sot rrugën e re të asfaltuar, rrugë e cila lidhë Kaçanikun e vjetër me magjistralen Prishtinë-Shkup.
Sipas minsitrit Limaj, kjo rrugë ka një rëndësi mjaft të madhe për banorët e këtij fshati :” Për ne sot është një moment i veçantë, për arsye se po bëjmë përurimin e një rruge të re në ditën e dëshmorëve të komunës së Kaçanikut, në ditën kur një njeri i madh jo vetëm i Kaçanikut por edhe i Kosovës, komandant Agim Bajrami e dha jetën për lirinë e Kosovës. Agimi ishte njëri nga bashkëluftëtarët tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kushtrimi i së cilit ngriti jo vetëm Kaçanikun, por gjithë këtë zone,njëherit ishte njëri nga shtyllat kryesore të UÇK-së, tha Limaj dhe shtoi: “ Ne si popull dhe Qeveri e Kosovës po vazhdojmë të bëjmë atë që kanë pasur ata ëndërr, ata që u flijuan për lirinë e këtij vendi, e cila ëndërr ka qenë liria e Kosovës, por njëkohësisht edhe ndërtimi I atdheut”.
Ministri Limaj, gjatë përurimit të kësaj rruge bëri të ditur se gjatë muajit të ardhshëm do të finalizohet projekti i autostradës Shkup –Prishtinë. Projekti do të shkojë sipas procedurave të koncesionimit të Aeroportit, apo për nëdrtimin e kësaj autostrade ka të interesuar që kjo arterie të ndërtohet me koncesion. Me këtë rast ministri Limaj pohoi:” Muajin e ardhëm presim që të finalizohet projekti i autostradës Prishtinë-Shkup, i cili projekt këtë rajon do ta kthej në një qendër kominikimi, që e lidh Kosovën me vendet tjera fqinje”.
“Ne nuk do të ndalim së ndërtuari rrugët e të gjitha fshatrave të vendit tonë, anë e kënd Kosovës dhe dora e shtetit do të prek aty ku ka nevojë qytetari I vendit tonë” tha në fund të fjalës së tij ministri Limaj.
Xhabir Zharku, kryetari i komunës së Kaçanikut, e falenderoi Qeverinë e Kosovës dhe ministrin Limaj, për ndërtimin e kësaj rruge. “Ne u jemi mirënjohës sepse na kanë përkrahur për të gjitha projektet të cilat I kemi paraqitur atje”.
Rruga ka një gjatësi rreth 3 kilometra dhe ka kushtuar 300 mijë euro.