Limaj përuroi 5 urat e rikonstruktuara në magjistralen Prishtinë-Shkup
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i shoqëruar nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian, përkatësisht kryesuesi i operacioneve Kjartan Bjornsson, bëri përurimin e 5 urave të rikonstruktuara, në magjistralen M2-Prishtinë-Shkup.
Me këtë rast ministri Limaj, në emër të Ministrisë të Transportit dhe Qeverisë së Kosovës, falenderoi përfaqësuesit e Komisionit Evropian, përkatësisht zyrën në Prishtinë e cila që nga themelimi i saj është e përkushtuar, për të ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në të gjitha drejtimet.
“Ndihma e KE-së dhënë Kosovës, ka të bëjë edhe në asistencën teknike dhe profesionale por edhe në ndihmën direkte në rindërtimin dhe zhvillimin vendit tonë. Vlenë të përmendet sidomos ndihma e vazhdueshme e Komisionit Evropian që i ka dhënë ministrisë së Transportit, në përmirësimin dhe ngritjën e cilësisë së infrastrukturës rrugore anë e kënd Kosovës” tha në fjalën e tij ministri Limaj.
Ministri Limaj gjithashtu pohoi:” Me rikonstruktimin e këtyre urave është bërë një punë e jashtëzakonshme për përmirësimin e infrastrukturës së këtyre urave, sipas standardeve të bashkimit Evropian”.
Sipas ministrit Limaj, në kuadër të asistencës teknike KE-ja e ka mbështetur edhe MTPT-në duke ofruar asistencë profesionale.
Ndërsa, në fund të fjalës së tij kreu i MTPT-së theksoi se :”Me Komisionin Evropian ne po vazhdojmë të kemi një bashkëpunim në transportin multimodal, ku praktikisht KE-ja po e mbështet me 2 milionë euro këtë projekt tepër të rëndësishëm, deri te arritjet e marrëveshjeve të transportit në tërësi.Shpresoj se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Komisionit Evropian do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
Donacionin i rikonstruktimit të këtyre pesë urave kap shifrën në vlerë prej 6.5 milionë euro, ishte kryesisht financim nga Komisioni Evropian.