Limaj: Do të hapim edhe projekte të rëndësishme për komunën e Vushtrrisë

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, përuroi sot rrugën Stanovc-Vushtrri.

Me këtë rast, ministri Limaj është zotuar se edhe këtë rajon do ta transformojnë ashtu si çdo fshat tjetër të Kosovës, me qëllim të krijimit të një jete më të mirë për qytetarët.

“Jemi në zemër të Kosovës në një rajon, i cili lidhet ose lidh në dy anët dy qendrat e mëdha edhe kryeqyteti, edhe qendra komunale e Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, andaj ne jemi të nderuar që kemi pasur mundësi që këtyre banorëve të devotshëm, të cilët kanë bërë shumë për vendin e tyre që t’ua kthejë shteti me investimet e tyre. Ky është një bashkëpunim i ngushtë që ka bërë komuna me ministrinë”, ka thënë ministri Limaj.

Ai ka paralajmëruar realizimin e projekteve të tjera të rëndësishme që lidhen me komunën e Vushtrrisë, të cilat do të rrumbullakojnë krijimin dhe përfundimin e infrastrukturës moderne edhe në fshatrat e kësaj komune.

“Besoj shumë shpejt që këto ditë do të hapim edhe projekte të rëndësishme për komunën e Vushtrrisë dhe kështu të vazhdojmë edhe rrumbullakimin e krijimit dhe përfundimit të infrastrukturës moderne edhe për fshatrat e komunës së Vushtrrisë, për të cilët jemi në rrugë të mbarë dhe nuk ka mbetur shumë ku përfundimisht mund ta shpallim që Vushtrria po thuaj çdo fshat i saj do të jetë me infrastrukturë të përfunduar”, ka thënë ministri Limaj.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, duke falënderuar ministrin Limaj dhe duke i uruar banorët për rrugën e re, ka thënë se për dy vite sa janë realizuar projekte në këtë komunë është arritur që të ndryshohet plotësisht kjo komunë.

“Ne këtë vit por edhe dy vitet e kaluara kemi realizuar shumë projekte me të cilat e kemi ndryshuar këtë në komunën tonë dhe plotësisht pajtohem me ministrin që po thuajse secili fshat në komunën tonë ka qasje me asfalt dhe kjo e bën që me të vërtetë ta ndryshojë jetën e qytetarit tonë, qoftë në qytet, qoftë në fshatra dhe krijon mundësi të reja për një zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë”, ka thënë ai

 

Foto Galeria

Video Galeria