Limaj dhe Olldashi nënshkruan Memorandum mirëkuptimi
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Limaj, u takua sot me ministrin e Transportit të Republikës së Shqipërisë, z. Sokol Olldashi.
Gjatë këtij takimi, Limaj dhe Olldashi nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë,në ofrimin e shërbimeve të kontrollit ajror, në hapsirën e lartë ajrore të Kosovës.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua edhe midis përfaqësuesve të Autoritetit Rregullativ të Aviacionit Civil të Kosovës, dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë, të cilët u zotuan të krijojnë ekipe të përbashkëta, të inspektimeve dhe auditimeve të sigurisë së aviacionit në të dyja vendet, si dhe për asistencë të ndërsjellë në ndërtimin e legjislacionit evropian, të aviacionit civil.
Në konferencën për media,ministri Limaj, falënderoi homologun e tij Olldashi për vizitën e tij në Kosovë dhe u shpreh se me z. Olldashi, kanë biseduar për tema të ndryshme, të cilat drejtëpërdrejtë lidhen me përgjegjësitë e të dy ministrive, në dikasteret përkatëse.
Ministri i MTPT, po ashtu theksoi se u bisedua edhe për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, në fushën e transportit dhe telekomunikacionit, në drejtim të thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit, midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht midis Ministrisë së Transportit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Ministri Limaj, gjithashtu, e vlerësoi lartë punën ekspertëve të aviacionit, të të dyjave vendeve, në saje të së cilës u arrit të nënshkruhet edhe ky memorandum.
Sipas ministrit Limaj, me anë të këtij memorandumi, Republika e Shqipërisë merr përsipër që t’i modernizojë edhe më tutje sistemet e veta ajrore në mënyrë që në bashkëpunim me kontrollin e trafikut ajror të Republikës së Kosovës, të ofrohet një shërbim profesional dhe i sigurtë, në hapsirën e lartë për mbikalime.
“Thellimi i bashkëpunimit të vendit tonë me Shqipërinë është edhe një përpjekje e NATO-s, për të implementuar zgjidhje sa më të mira për këtë hapsirë”, tha kreu i MTPT-së duke shtuar se, në këtë fushë, vendi ynë është duke bashkëpunuar edhe me vendet tjera të rajonit.
“Kosova ka pasur fatin që në territorin e saj të kalojnë rrugë ajrore të frekuentuara, e që sipas kalkulimeve të Eurokontrollit, me hapjen e kësaj hapësire, Kosovës do ti mundësohen edhe mbi 450 fluturime në ditë. Kjo vendit tonë do t’i sjellë përfitime jashtëzakonisht të mëdha monetare”, shtoi z. Limaj.
Ndërsa, ministri i Transportit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi e falenderoi ministrin Limaj dhe stafin e MTPT-së për punën e bërë, në drejtim të arritjes së këtij memorandumi.
Z. Olldashi potencoi se ky memorandum është i dobishëm për administratat e të dyja Ministrive, në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai gjithashtu, shtoi se gjatë këtij takimi është biseduar edhe për lëmi të tjera që janë të rëndësishme për të dy Ministritë, siç janë akset rrugore, të cilat i lidhin Kosovën me Shqipërinë, por edhe për mundësinë e krijimit të lidhjeve të reja rrugore lokale, midis qendrave të banuara kufitare, këndej dhe matanë kufirit.
Sipas Olldashit, gjatë muajve të fundit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, bashkëpunimi është thelluar në disa drejtime duke shtuar se: “Tani kemi tre marrëveshje që do nënshkruhen ne fushën e Aviacionin civil, ndërsa jemi në përfundim të arritjes së nënshkrimit të marrëveshjes për transportin rrugor që do të jetë shumë e rëndësishme për transportuesit e të dyja vendeve”.