Kryeministri Thaçi: Në Kosovë janë duke u zhvilluar dhe do të vazhdojnë të zhvillohen projekte të rëndësishme të infrastrukturës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadorin amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ambasadoren turke në Kosovë, Songul Ozan dhe disa ministra të kabinetit qeveritar ka vizituar kantierin e ndërtimit të sektorit të autostradës nga Vërmica deri në Qafë të Duhlës në gjatësi prej 43 kilometrash.
Në një fjalë rasti kryeministri Hashim Thaçi është shprehur shumë i kënaqur me dinamikën dhe kualitetin e ndërtimit të kilometrave të para të autostradës nga Vërmica deri në Merdarë.
“Jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu së bashku për të inspektuar punimet në ndërtimin e autostradës Vërmicë –Merdarë. Tani janë duke u kryer punët në aksin prej 43 kilometrash të kësaj autostrade që është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se punimet janë duke u zhvilluar edhe në kufi që do të ndikojë në integrimin e vendit tonë në aspektin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, të hapen kufijtë tanë sa më shumë. Pritet që gjatë këtij viti të fillojnë punimet edhe në sektorin e pestë . Janë duke u kryer punime në të gjitha seksionet edhe para kohe .
Më tutje, kryeministri Thaçi tha se kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me kompaninë Bechtel - Enka . Kryeministri Thaçi ka lavdëruar punën e kompanisë Bechtel- Enka për punën e bërë deri tash. Ky projekt është duke u zhvilluar sipas planit, natyrisht se në Kosovë do të zhvillohen edhe shumë projekte tjera të infrastrukturës, theksoi kryeministri Thaçi.
kryeministri-ks.net
Zyra e Kryeministrit