Kryeministri Mustafa dhe ministri Zharku inauguruan fillimin e punimeve në rrugën Dragash - Shishtavec

Dragash, 29 prill 2017

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku inauguruan fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës Dragash-Shishtavec (pika kufitare me Shqipërinë), segmenti kryqëzimi me rrugën R113 deri te pika kufitare Borje-Jazhincë. Ky projekt rrugor do të ketë një gjatësi prej 1400 metrash, gjerësi prej 6 metrash, me një kosto prej 200,000 euro. Punimet në këtë projekt rrugor do të përfundojnë në afat prej 55 ditësh pune.

 

Kryeministri Mustafa theksoi: “Të krijojmë kushte që të kenë komunikim më të lehtë, të kenë lidhje më të mira dhe të mos jetë ndër investimet e fundit, por të bëjmë edhe investime tjera. Kemi kërkesa që të bëjmë investime edhe në rrugët që na lidhin me Maqedoninë në këtë pjesë, në mënyrë që infrastruktura të jetë si një parakusht për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin arsimor, social dhe i integrimeve tona dhe ndërtimit të përbashkët të shtetit të Kosovës”.

 

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vlerësoi rëndësinë e fillimit të kësaj rruge, duke theksuar edhe ndërtimin e rrugëve të reja, të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve të kësaj ane. 


“Nga viti i kaluar po vazhdojmë me asfaltimin e rrugës Jabllanicë-Zaplluxhë, ndërsa këtë vit kemi nënshkruar me kryetarin e Komunës së Dragashit Memorandumin e mirëkuptimit prej afër 1 milion euro për financimin e disa projekteve tjera. Bëhet fjalë për rrugën Brezne-Trokan-Brut, rrugën Muri Mbrojtës – Restelicë, Restelicë-Strazimir dhe Strazimir-Dragash. Në anën tjetër, Ministria do ta kryej edhe rrugën Xërxë–Pllajnik. Është një investim i përgjithshëm në këto dy vjet në vlerën mbi 2 milionë e gjysmë euro”, tha ministri Zharku, duke theksuar se investimet në ndërtimin e rrugëve do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.      

  

Realizimi i këtyre projekteve infrastrukturore do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave duke ndikuar në zhvillimin e kësaj zone.  


Foto Galeria

Video Galeria