Konferenca e Ofertuesve për Partneritetin Publiko-Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, 27 - 29 janar 2010
Nesër në Prishtinë fillon konferenca e ofertuesve për partneritetin publiko-privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Konferenca treditore mbahet me ofertuesit e kualifikuar në garën për operim dhe zhvillim të ANP-së, në mënyrë që ata të kenë mundësi të japin komentet e tyre rreth draft-kontratës për PPP në ANP, e cila u ishte dërguar atyre me 29 dhjetor 2009. Gjithashtu, ata do të kenë rast që për së afërmi të njihen me infrastrukturën ekzistuese të ANP-së dhe mjedisin e përgjithshëm investues në Kosovë.
Konferencën do ta hapë Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, do t’u drejtohet të pranishmëve me fjalën për rëndësinë e modernizimit dhe zgjerimit të infrastrukturës në Kosovë, kurse ministri i MEF, Ahmet Shala, do t’i informojë ofertuesit për përkushtimin e Kosovës për partneritetet publiko-private dhe investimet private në infrastrukturë publike në përgjithësi.
Kjo konferencë është vazhdimësi e prokurimit nderkombëtar dhe do të pasohet me dorëzimin e kërkesës për propozim nga ana e ofertueseve ne mars të këtij viti.
Ftohen mediet që të marrin pjesë në këtë eveniment, që do të fillojë të mërkurën, më 27 janar 2009 me seancën e parë të takimit, prej orës 10:00 deri në 10:30, që do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Salla P – 38, Rr. Nëna Tereze, Prishtinë.