Juniku, Klina e Istogu përfitojnë nga MIT-ja afro 1.5 milionë euro
Prishtinë, 7 mars 2019
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Junikun, Klinën dhe Istogun. Përmes këtyre memorandumeve, MIT do të financojë projekte infrastrukturore lokale në këto komuna.
Komuna e Junikut përfiton 3 projekte në vlerë prej 300 mijë euro. Komuna e Klinës 7 projekte në vlerë prej 950 mijë euro. Kurse ajo e Istogut përfiton mjetet financiare në vlerë 200 mijë euro për këtë vit, për rregullimin e qendrës së qytetit për të cilin dy vitet në vijim do ndahen edhe 770 mijë euro për përfundimin e këtij projekti.
I pari i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, tha se sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit MIT, do të jetë në mbështetje të komunave për realizimin e projekteve të tyre që tejkalojnë mundësitë financiare të buxheteve lokale.
Të parët e komunave përfituese nga këto marrëveshje, duke e falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen që po e jep për komunat në tërë vendin, thanë se këto investime nga niveli qendror janë shtysë e madhe për ta dhe qytetarët e komunave respektive.