Fillojnë aktivitetet e shënimit të javës së gjashtë Globale për Siguri në rrugë
Prishtinë,
17 Maj 2021
Sot, nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Asociacionit Kosovar të Motorizimit dhe Policisë së Kosovës, u shënua “Java Globale e Sigurisë Rrugore”, ku si qëllim kryesorë i fushatës është kufizimi i shpejtësisë për automjete deri në 30 km/h.
Zëvendësministri i MMPHI-së, z. Hysen Durmishi, shprehu bindjen e tij se renditja e sigurisë rrugore si prioritet i lartë do të kontribuojë në uljen e numrit te aksidenteve rrugore dhe përmirësimin e gjendjes në sigurinë e trafikut rrugor në përgjithësi.
Për më tepër ai tha se: “Kufizimi në këtë shpejtësi shpëton jetë dhe mbron të gjithë pjesëmarrësit që i përdorin rrugët, veçanërisht fëmijët, këmbësorët, biçiklistët, njerëzit e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara, andaj duke u sjellë në pajtim me rregullat dhe Ligjet e Trafikut rrugor, secili nga ne, mund të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë në trafikun rrugor”.
Ndërsa Gazmend Hoxha, përfaqësues i Policisë së Kosovës, u shpreh se:” Policia e Kosovës është pjesë e këtij aktiviteti dhe do të përkrah me njësitë relevante duke bërë thirrje për respektimin e rregullave të trafikut dhe njëkohësisht mbështet propozimin që në vendbanimet urbane, dhe pranë shkollave të ketë shpejtësi më të ulët, atë 30 kilometra në orë.
Respektimi i rregullave të trafikut duhet të bëhet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës do të vazhdojë të punoj për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, si dhe për zvogëlimin e aksidenteve në përgjithësi”.