Edhe sivjet Ministria e infrastrukturës përkrah fushatën për eliminimin e dhunës ndaj gruas
Me rastin e 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe 16 Ditëve të Aktivizimit (25 nëntor - 11 dhjetor), duke pasur parasysh praktikat ndërkombëtare, edhe sivjet në Ministrinë e Infrastrukturës do të organizohet fushata sensibilizuese për eliminimin e dhunës ndaj gruas, me synim që problemi i dhunës ndaj grave të mos kuptohet dhe të mos trajtohet vetëm si problem i grave, i femrave përgjithësisht, sepse objekt i dhunës mund të jenë edhe meshkujt e të gjitha moshave.
Zyrtarja për Barazi Gjinore në Ministrinë e Infrastrukturës, z-nja Adelina Sokoli, ideatore e formave të ndryshme të fushatës kundër dhunës ndaj gruas na deklaroi se edhe sivjet janë bërë përpjekje që fillimi i fushatës të begatohet edhe me forma të tjera. Kështu, në rrugët e kryeqytetit dhe në qytetet e tjera të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Ferizaj), në monitorët e vendosur nga Mega-Medium, nga data 25 nëntor deri më 11 dhjetor 2014, do të shfaqet video spoti ‘’Kundër dhunës ndaj Gruas’’, nëpërmjet të të cilit qytetarët e Republikës së Kosovës do të ftohen që bashkërisht ta luftojnë dhe t’i japin fund kësaj të keqeje, dhunës ndaj gruas.
Duhet shpresuar se kjo formë e sensibilizimit do të përkrahet masivisht dhe se në të ardhmen do të bëhet praktikë e përhershme te ne.
Zyra për Informim Publik e MI