Basha: Në projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë po zbatohen penalititë financiare për vonesat në punë
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha inspektoi zhvillimin e punimeve në projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë.
\"Isha prapë për të inspektuar nga afër punimet në rrugën Prishtinë - Podujevë,
po zbatohen penalltitë financiare për vonesat në punë.
Sa për sqarim, me të marrë detyrën e Ministrit, i kam takuar mbikqyrësit dhe operatorët ekonomikë të angazhuar në këtë projekt sepse kishin skaduar afatet, planet dinamike, dhe sigurimet që obligohen ndaj nesh. Pas shumë diskutimeve dhe duke marrë parasysh gjendjen e punimeve, jemi dakorduar për shtyrjen e afateve të punimeve, ku fillimisht kemi kërkuat të lirohet për qarkullim njëri krah i urave, ndërsa deri në nëntor të përfundojnë edhe pozicionet e tjera të të gjitha punimeve.
Këtë marrëveshje e kemi formalizuar edhe me shkrim. Operatorët kanë dorëzuar planet dinamike dhe sigurimet përkatëse për të gjitha segmentet, duke marrë përsipër afate dhe obligime
të qarta.
Përkundër gjithë mirëkuptimit tonë për shtyrjen e afateve dhe dakordimit të arritur për urat, disa prej operatorëve nuk i kanë respektuar obligimet e marra. Prandaj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kemi filluar menjëherë me zbatimin e penaliteteve. Vetëm për muajin korrik, në segmentin e Vranidollit, operatori ekonomik është penalizuar me 24 mijë euro.
Penalitetet do të vazhdojnë në segmentet ku nuk respektohet plani dinamik, derisa operatorët t’i përmbushin obligimet dhe t’i kryejnë punët për të cilat janë kontraktuar dhe paguhen.
Kjo praktikë do të zbatohet në të gjitha kontratat e Ministrisë ku afatet dhe obligimet kontraktuale nuk respektohen pa arsye të justifikueshme. Është e padrejtë që qytetarët të presin
dhe të mos i gëzojnë rrugët për të cilat janë ndarë dhe po paguhen paratë e tyre.
Ne s’kemi interes të dënojmë askënd, vetëm po kërkojmë shërbime për të cilat kemi marrëveshje. Për operatorët që punojnë, respektojnë afatet dhe tregohen të përgjegjshëm, do të ketë gjithmonë bashkëpunim dhe mirëkuptim. Por për ata që neglizhojnë punën dhe nuk i respektojnë obligimet kontraktuale, nuk do të ketë tolerim dhe do të zbatohen pa kompromis penalitetet sipas legjislacionit në fuqi\" vlerësoi ministri Basha.
Kliko VIDEO










