Abrashi: Vitin e ardhshëm nis ndërtimi i rrugës lidhëse nga Kodra e Trimave deri në Shkabaj

Prishtinë, 12 dhjetor 2020

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kompaninë projektuese ka dalë në terren për t'i parë nga afër matjet gjeodozike të rrugës nga Kodra e Trimave deri në Shkabaj, përkatësisht rrugën lidhëse mes dy rrugëve nacionale, atë të Podujevës dhe Mitrovicës. 

Ky është projekt i ri në kuadër të rrugëve të reja që do të ndërtohen në Komunën e Prishtinës.

Ministri Abrashi tha se vitin e ardhshëm është paraparë ndërtimi i kësaj rruge, e cila do t'i lidhë dy rrugët nacionale, atë të Podujevës dhe Mitrovicës. 

\"Kjo rrugë do të ketë ndikim të madh në shkarkimin e Prishtinës nga trafiku i ngarkuar, duke lidhur dy rrugë nacionale, atë të Podujevës dhe Mitrovicës. Po ashtu fshatërat për rreth do ta kenë më të lehtë qasjen në auto-udhët e Kosovës përmes kësaj rruge si dhe hap perspektivën për krijimin e zonës ekonomike afër Qendrës së Panaireve\", tha Abrashi.

Kjo rrugë është në kuadër të projekteve të reja që Ministria e Infrastrukturës do t'i realizojë, sipas buxhetit të vitit 2021.

\"Kemi parapa që ndërtimin e kësaj rruge ta bëjmë me dy faza, e që do ta ketë edhe shtegun për çiklistë, duke plotësuar të gjitha standardet e një rruge model\", tha Abrashi.

Ministria e Infrastrukturës shpejt do ta nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës, për ndërtimin e rrugës A dhe shumë projekte të tjera. 

Foto Galeria

Video Galeria