Abrashi takoi drejtorin e BERZH-it në Kosovë, së shpejti shpallen procedurat e tenderimit për autoudhën Kievë - Zahaq

Prishtinë, 2 nëntor 2020


Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në një takim pune drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim - BERZH në Kosovë, Neil Taylor, dhe Arianit Blakaj, bankier kryesor i këtij institucioni në Kosovë.


Në takim u diskutuan projektet infrastrukturore që Ministria e Infrastrukturës i ka me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me theks të veçantë projektet e rëndësishme që lidhin Kosovën me vendet e rajonit.


Ministri Abrashi falënderoi BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme në projektet infrastrukturore që janë duke u kryer, dhe po ashtu për ato që do të nisin shumë shpejt.


Ministri Abrashi dhe drejtori Taylor diskutuan për finalizimin e procedurave e përgatitjeve për shpalljen e tenderit për autoudhën Kievë-Zahaq, dhe së shpejti do të shpallen procedurat e tenderimit për këtë projekt strategjik për vendin.


Po ashtu u diskutua për fillimin e projektit për zgjerimin e hyrje-daljeve në Komunën e Ferizajit, procesin e rehabilitimit dhe rikonstruktimit të hekurudhave të Kosovës si dhe bashkëpunimin e financimin e projektit të autoudhës, Prishtinë - Merdare.


Taylor bëri të ditur se investimet e BERZH-it në Kosovë do të vazhdojnë, bazuar në kërkesat e Ministrisë dhe duke u përqendruar tek zhvillimi ekonomik i Kosovës. 

Foto Galeria

Video Galeria