Abdixhiku: Kthimi i kontrolluar i qytetarëve tanë po vazhdon suksesshëm

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, të martën (21.04.2020), ka dhënë informacione të hollësishme rreth kthimit të vazhdueshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga vendet e tjera.


Për një muaj, janë realizuar fluturime të organizuara dhe plotësisht të kontrolluara nga Gjermania, Anglia, Zvicra e Turqia. Ndërsa përmes kthimit tokësor, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, janë kthyer qytetarë nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Përderisa të hënën janë kthyer nga Zvicra 106 shtetas kosovarë, ministri Abdixhiku ka informuar se gjatë ditës së sotme, do të kthehen edhe 120 qytetarë nga Turqia.

Më tutje, kreu i MIA-s, bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të realizohen edhe tri fluturime të tjera. Nga Gjermania do të kthehen 50 shtetas të Kosovës, nga Polonia dhe Çekia, 16 studentë dhe nga Liberia, një punëtor që ka mbetur atje.


Bashkë me ministritë e tjera relevante, ministri Abdixhiku tregoi për përpjekjet maksimale të kthimit të 100 shtetasve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krahas këtij angazhimi për kthim të qytetarëve me emergjenca shëndetësore dhe vështirësi qëndrimi, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë kthimin e tyre në Kosovë, përveç rasteve emergjente, për shkak të kapaciteteve në Qendrën e Studentëve, që po shërben si karantinë.


Përveç informacione rreth koordinimit të kthimit të qytetarëve në vend, ministri Abdixhiku, tha se në vazhdimësi janë duke u kryer angazhimet e tjera të MIA-s. Mirëmbajtja verore e rrugëve ka filluar dhe përveç pastrimit dhe sanimit, ato janë edhe duke u dezinfektuar.


Ndërkaq tregoi edhe rreth uljes së përqindjes së Azotit nëpër komunat e Kosovës, deri në 50%.


Në ditën ndërkombëtare të Tokës (22.04.2020), Abdixhiku tha se do të shpërndahen material elektronike promovuese për ngritje të edukimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, pa ndonjë aktivitet tjetër, si pasojë e situatës. 

Foto Galeria

Video Galeria