Sot u lëshua në qarkullim të pjesërishëm rrethrrotullimi në rrugën në drejtim të Fushë-Kosovës

Sot në një ceremoni rasti, në të cilën mori pjesë ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, u lëshua në qarkullim të pjesërishëm rrethrrotullimi i Prishtinës, në rrugën në drejtim të Fushë-Kosovës.

 

Në fjalën e rastit, ministri Mujota, pasi përkujtoi se sot u realizua ajo që është paralajmëruar ditë më parë për lëshimin e pjesërishëm në qarkullim të këtij rrethrrotullimi, tha:

 

- Sot jemi këtu për të parë lëvizjen e makinave të para në rrethrrotullim pas shqyrtimeve teknike që u dëshmuan të suksesshëm, që do të thotë se zotimi i Qeverisë, i Ministrisë dhe i punëkryesit po realizohet plotësisht. I falënderoj të gjithë akterët që u angazhuan maksimalisht, sidomos muajin e fundit, që të gjithë ne tash të ndjehemi më të lehtësuar, ngase të gjithë do të kemi një qarkullim më cilësor dhe më të sigurt.

 

Pasi i përgëzoi qytetarët dhe shoferët, që do ta shfrytëzojnë rrethrrotullimin, ministri Mujota u bëri atyre apel që, meqenëse bëhet fjalë për shfrytëzim të pjesërishëm, të jenë më të kujdesshëm dhe të mos krijojnë vështirësi për punëkryerësin në finalizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

 

Duke folur për problemet e shfaqura, veçmas kur bëhet fjalë për shpronësimin, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, pronarëve të tokave të përfshira në projektet e infrastrukturës rrugore ua kumtoi një lajm, të cilin e cilësoi si “lajm të mirë”:

 

- Vendimi i Qeverisë, i marrë para një jave, është nënshkruar të mërkurën nga Kryeministri dhe tash, në pajtim me ligjin, Ministria e Financave, nëpërmjet kompanisë, e cila është përcaktuar për të bërë vlerësimin dhe përcjelljen e mëtutjeshëm të të gjithë procesit, do të fillojë të bëjë shpërndarjen e dokumentacionit për të gjithë pronarët dhe ne jemi të bindur se problemet e shpronësimit, një nga një, por në mënyrë të sigurt do të zgjidhen në drejtimin e rrugës Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë, përfshirë edhe rrethrrotullimin në të cilin ndodhemi sot.

 

Pasi i falënderoi pronarët e pronave që kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet, ndërsa ata që kanë pasur ndonjë shqetësim të arsyeshëm, ministri Mujota tha se “i kemi në considerate dhe se plotësisht dhe në mënyrë të fuqishme do t’i mbrojmë me ligj”.

Foto Galeria

Video Galeria