Ministri Pal Lekaj takoi ndërmarrësit kosovar në Gjermani
Në vazhdim të vizitës në Gjermani, ku është duke qëndruar me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu dhe me bashkëpunëtorë, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, pos anës zyrtare, po përpiqet që ta shfrytëzojë për kontakte edhe me përfaqësuesit e diasporës sonë në Gjermani, për të parë nga afër edhe sukseset e diasporës sonë atje, ngase ajo paraqet një potencial të jashtëzakonshëm investues, për të cilin së shpejti do të krijohen mundësitë që ato investime t’i rrisin dhe dhe t'i orientojnë në Republikën e Kosovës.
“I këtillë ishte disponimi i bashkëqytetarëve tanë, të cilët me të drejtë dhe me mjaft zhgënjim deklaruan se deri tash në Kosovë nuk kanë pasur partner, por as mundësi partneriteti me shtetin e vet Kosovën”, deklaroi ministri Pal Lekaj në prononcimin e tij. “Unë iu garantova se prej tash do të bëjmë çdo gjë që është e mundur dhe ligjore që t'i ngrohim raportet në mes të Kosovës dhe diasporës së saj, sepse vetëm kështu mund t'i arrijmë synimet për zhvillim ekonomik e për punësim të rinisë”, tha ministri Lekaj.
Në fund, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i falënderoi ndërmarrësit kosovarë, që veprojnë në Gjermani (KELMENDI GMbH në Essen Import – Eksport, fabrikën "ROGRO" në Iserlohn etj.), për sukseset që po i arrijnë në tregun gjerman dhe për punësimin e dhjetëra shqiptarëve atje, të cilët në mënyrën më të mirë po e promovojnë atdheun e tyre, Kosovën.