Ministri Mujota priti në vizite një delegacion të Bankës Botërore, dhe një delegacion të Ministrisë së Transportit të Malit të Zi
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti në takim delegacionin e Bankës Botërore, i cili po viziton Kosovën. Gjatë takimit me delegacionin, që e përbënin Baher El Hifnawi dhe Liljana Sekerinska, u bisedua rreth bashkëpunimit të deritashëm midis Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bankës Botërore, ndërsa temë bisede e takimit ishte edhe ecuria e realizimit të projektit të autostradës Morinë-Prishtinë dhe punët që aktualisht po kryhen në këtë autostradë.
Po ashtu, delegacioni i Bankës Botërore u interesua edhe për përgatitjet e deritashme të Ministrisë së Infrastrukturës për fillimin e realizimit të autostradës së re Prishtinë-Hani i Elezit. Lidhur me këtë ministri Mujota i informoi zyrtarët e Bankës Botërore me punët e deritashme, siç është përzgjedhja e kompanisë për këshilltar për shërbime të transaksionit, si dhe për punën që po bëhet në grupin
ndërministror për përgatitjen e dokumentacionit tenderues për këtë autostradë.
Po sot ministri Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë priti në takim edhe një delegacion të Ministrisë së Transportit të Malit të Zi, të kryesuar nga Veselin Gërboviq, me të cilin u bisedua lidhur me bashkëpunimin midis dy ministrive dhe për thellimin e mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Mysafirët u interesuan posaçërisht për ndërtimin e autostradës nr. 7, Rrugës së Kombit dhe
për përvojat e Ministrisë së Infrastrukturës në këtë drejtim. Mysafirët nga Mali i Zi shprehën admirimin e tyre me realizimin e shpejtë dhe ciësor të kësaj autostrade dhe theksuan se kjo do të jetë referencë e mirë për projektet infrastrukturore në Malin e Zi.