Ministri Limaj inauguroi, fillimin e kontrollimit qendror të lëvizjes së trenave



 

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z. Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i Bordit të Hekurudhave të Kosovës Sejdi Hoxha dhe drejtorit menaxhues të këtyre hekurudhave Xhevat Ramosaj, përuroi fillimin e kontrollimit qendror të lëvizjes së trenave, në linjën Hekurudhore Mitrovicë-Fushë Kosovë- Ferizaj-Hani i Elezit.

 

“Sot, kam kënaqësinë që gjendem në  mesin tuaj, sepse hekurudhat e Kosovës kanë përfunduar një projekt shumë të rëndësishëm, atë të modernizimit të linjës së dhjetë i cili do të ndikojë në ngritjen e sigurisë në komunikacionin hekurudhor, dhe do ta bëjë të mundur kontrollimin e lëvizjës së trenave nga qendra, për të gjithë trenat që qarkullojnë në këtë linjë hekurudhore” tha në fillim të fjalës së tij ministri Limaj.

 

Ministri Limaj gjithashtu u shpreh :” Jam i bindur se sistemi i kontrollit qendror të lëvizjës së trenave do ta ngrisë cilësinë, efektshmërinë, dhe sigurinë e qarkullimit të trenave në këtë linjë hekurudhore.Prandaj, lirisht mund të them se përveç angazhimeve të shumta në sektorin rrugor, angazhimet e mia do të jenë të orientuara edhe në sektorin hekurudhor i cili ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”.

 

Kreu i MTPT-së, premtoi se edhe në të ardhmen do të angazhohet që kjo linjë hekurudhore, t’i plotësojë kërkesat të cilat dalin nga Komisioni Evropian, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e pandashme e Rrjetit të Integruar hekurudhor të Bashkimit Evropian.

 

Ministri Limaj, gjithashtu theksoi se Qeveria e Kosovës, dhe ministrine te cilen e drejton tha se sa u përket hekurudhave është duke u punuar me të madhe, në mënyrë që krahas zhvillimit të infrastrukturës hekurudhore të punohet edhe në zhvillimin e politikave sektoriale, e cila do të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës.

 

“Ne kemi përfunduar draftin final të strategjisë Zhvillimore të Transportit Multimodal të Kosovës. Me këtë dokument janë përcaktuar kahet e zhvillimit të sektorit hekurudhor dhe parashihet që deri në vitin 2013 të arrihet modernizimi i të gjitha linjave hekurudhore” shtoi Limaj.

 

Ministri Limaj bëri të ditur se në bashkëveprim me MEF-in është duke u punuar në përgatitjet për ndarjen e hekurudhave të Kosovës, në dy kompani të reja: në infrastrukturën hekurudhore të Kosovës SHA dhe Operimin me Trena të hekurudhave të Kosovës SHA. Kjo ndarje parashihet edhe me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës dhe njëkohësisht është kërkesë edhe e komisionit Evropian. Në të njëjtën kohë kjo do të mundësojë tërhqjen e investimeve.

 

Themelimi i Autoritetit Rregullativ Hekurudhor është një arritje tjetër e rëndësishme e cila do të ndikojë që sektori hekurudhor të jetë konform Direktivave Evropiane të transportit hekurudhor, potencoi Limaj.

 

Ndërsa kryetari i Bordit të hekurudhave të Kosovës, Sejdi Hoxha, gjatë fjalës së tij falenderoi Qeverinë e Kosovës  dhe MTPT-në për ndarjen e këtyre mjeteve sepse siç tha ai pa këtë donacion nuk do të ishte realizuar një projekt i tillë me një rëndësi kaq të madhe për Hekurudhat e Kosovës.

 

Xhavat Ramosaj kryeshefi ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, me këtë rast theksoi :” Në zbatimin e këtij projekti kanë punuar tri kompani të njohura: Iskra Sistemi nga Sllovenia, Alprom nga Kroacia dhe Step nga Bosnja dhe Hercegovina”.

 

Linja hekurudhore Mitrovicë- Fushë Kosovë-Ferizaj-Hani i Elezit, lidhë Kosovën me Maqedoninë, dhe Serbinë, ka një rëndësi të veçantë dhe si e tillë ka hyrë në prioritetet e Komisionit Evropian. Ky projekt i tëri është financuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, vlerat e të cilin arrinë 3 milionë e 375 mijë euro.

Foto Galeria

Video Galeria