U përuruan 12 km rrugë në komunën e Deçanit
Sot zëvendësministrat e Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe Hanefi Muharremi, vizituan komunën e Deçanit, ku u pritën nga kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj. Pas takimit, zëvendësministrat Mujora dhe Muharremi dhe kryetari i komunës, Selmanaj, përuruan rrugë në tri fshatra të komunës së Deçanit me gjatësi prej 12 kilometrash: rrugën në fshatin Ratish, që lidh segmentet rrugore Pozhar-Lumbardh, rrugën për në liqenin e Radoniqit dhe rrugën Dubravë-Baballoç.
Në fjalën përuruese zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha se këtë periudhë mund ta quajë “periudhë të artë” të investimeve në komunën e Deçanit dhe se sot të gjithë janë të gëzuar që ëndrrat e banoreve të kësaj ane u bënë realitet dhe shtoi se shpreson që ky bashkëpunim midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Deçanit do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Zëvendësministri Hanefi Muharremi, ndërkaq, premtoi se komuna e Deçanit nuk do të mbetet vetëm me investimet e deritashme dhe se beson që investimet në këtë komunë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim për realizimin e projekteve të reja të planifikuara nga komuna e Deçanit.
Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, deklaroi se ndihet mirë që së bashku me dy zëvendësministrat e Infrastrukturës bëjnë përurimin e këtyre rrugëve dhe në emër të banorëve të kësaj ane shprehu falënderimin e thellë për realizimin e të gjitha projekteve të deritashme të infrastrukturës rrugore.
Për ndërtimin e rrugëve që u përuruan sot Ministria e Infrastrukturës ka investuar afro 1 milion euro.